“Fast & Furious” në Unazën e Madhe
Shtatë drejtues mjetesh janë penalizuar nga Policia Rrugore, pasi në zonën e Unazës së Madhe qarkullonin me makinë me shpejtësi tej normave të lejuara.
Policia thotë se nisi monitorimet pas denoncimeve nga banorë të zonës se në zonën e tyre ka zhurma të shumta që shkaktohen nga automjetet kryesisht sportive nëpërmjet sistemeve zhurmëshkarkuese, shpejtësisë së madhe apo garave ndërmjet tyre.
“Me qëllim ndëshkimin e këtij fenomeni sa shqetësues aq edhe të rrezikshëm, si dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e kryeqytetit në bashkëpunim me sektorin e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, ka monitoruar dhe dokumentuar me agjentë civilë apo të uniformuar një sërë shkeljesh në këtë segment rrugor dhe ka proceduar e dërguar praktikat për gjykim në Organin Administrativ Shtetëror, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për 7 drejtues mjetesh që “garonin” me shpejtësi thuajse dyfishin e asaj të lejuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu policia tha se për 12 drejtues mjetesh është bërë verifikimi me radar dhe tërheqja e lejes së drejtimit, pasi janë konstatuar duke qarkulluar mbi normat e lejuara, si dhe janë vendosur 67 masa të tjera administrative për shkelje të ndryshme gjatë veprimeve policore.