Fatjon Skënderi nis dëshminë në prokurori

Fatjon Skënderi, i përmendur si “Toni” në akuzat e Tom Doshit kundër Ilir Metës, ka nisur dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai erdhi një ditë më parë nga Shqipëria për të dëshmuar, pasi mori garanci nga autoritetet shqiptare se nuk do të arrestohet. Toni, që sipas Tom Doshit ka qenë njeriu që do të paguante Durim Bamin për ta vrarë atë dhe deputetin Mhill Fufi, ishte larguar për në Gjermani në shtator, pak ditë pasi i shpëtoi një atentati në hyrje të autostradës Tiranë – Durrës. Arsyet e atentatit mbeten mister, por Skënderi hedh dyshime se lidhen me skenarin “e sajuar nga Doshi”. Toni ka pohuar publikisht në një intervistë për një të përditshme shqiptare se e njeh Durim Bamin, por ka mohuar që të ketë biseduar me të për pazare. Ai ka thënë gjithashtu se e njeh Ilir Metën dhe e ka takuar në vitin 2005 gjatë fushatës elektorale në Kombinat. “Toni i Kombinatit”, siç iu referua atij Meta në emisionin Opinion, kishte njohje edhe me bashkëshorten e Metës, deputeten Monika Kryemadhi, e cila dëshmoi mbrëmë në prokurori, pasi emri i saj ishte përmendur në Dëshminë e Tom Doshit.

SHKARKO APP