Faturat e ujit, prokuria e Tiranës nis procedimin penal

Prokuroria e Tiranës regjistron procedim penal me dy akuza në lidhje me skandalin e mbifaturimeve në Ujësjellësin e Tiranës. “Ndërhyrje e paligjshme në rrjetet kompjuterike” dhe “shpërdorim detyre” janë veprat penale për të cilat Prokuroria, pas verifikimit vetëm disaditor, ka vendosur të regjistrojë procedim penal, shkruan Panorama.

Burimet nga prokuroria kanë bërë me dije se hetimi ka nisur mbi bazën e materialit referues të përcjellë nga policia për disa raste mbifaturimesh muajt e fundit. Prokuroria ka bashkuar në këtë procedim edhe një padi të bërë nga vetë Ujësjellësi i kryeqytetit për “ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike”.

Burimet e Prokurorisë thanë se “pas konstatimit se objekti i kallëzimit dhe ai i materialeve të tjera referuese ishte i njëjtë, është vendosur bashkimi i të gjitha shkresave në një procedim penal”. Pas kësaj faze të ezauruar tashmë nga Prokuroria, grupi i hetimit ka nisur veprimet me qëllim zbardhjen e mekanizmit të anomalisë së ndodhur me sistemin informatik të Ujësjellësit të Tiranës.

Paraprakisht mësohet se është hedhur poshtë mundësia e “ndërhyrjes nga jashtë” pasi sistemi i faturave të UKT-së nuk ka ekspozim online apo në rrjete publike. Për këtë arsye, dyshimet paraprake janë se ndërhyrja mund të jetë kryer “nga brenda” UKT-së për arsye që ende nuk janë të qarta.

SHKARKO APP