Faza e përzgjedhjes së kandidatëve në PD shtyhet me disa ditë, verifikim çdo emri

Komisioni i Verifikimit të Kandidatëve në Partinë Demokratike e ka shtyrë përmbylljen e fazës së dytë me disa ditë për shkak të verifikimit të hollësishëm për çdo emër. Akademikja, Enriketa Papa, tha se çdo emër po kalon në një filtër të hollësishëm në mënyrë që përfaqësimi të jetë sa më i lartë.    

Në 15 shtator, Komisioni i Verifikimit të Kandidatëve në Partinë Demokratike duhej të kishte mbyllur fazën e dytë dhe ti kalonte bazës për të dhënë pëlqim për  rreth  300 emra.

Por kjo fazë duket se do të shtyhet me disa ditë, e kjo për faktin se komisioni ka kërkuar verifikim të hollësishëm për shumë emra.

“Për shkak të disa kontrolleve që kërkuam nga strukturat ky afat nuk qëndron më, është shtyrë për disa ditë.”

Anëtarja e Komisionit akademikja, Enriketa Papa,  thotë se për çdo emër po bëhet kujdes dhe po verifikohet në mënyrë që të garantohet pastërtia e figurës.

“Është një lloj konfirmimi dhe sigurie që komisioni kërkon.”

Por përtej, vonesave në këtë fazë, procesi i evidentimit dhe verifikimit  të kandidatëve pritet të përfundojë brenda muajit shtator, kur është edhe afati i vendosur në udhëzim.

“Besoj se brenda muajit procesi përfundon.”

Janë 300 emra te cilët do ti çohen për konsultim bazës, e më pas ky fond do të shërbeje për listat e kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie.

SHKARKO APP