FBI-ja shqiptare, kalojnë testin fizik vetëm 103 kandidatë nga 424
Edhe pse nisi me bujë të madhe, nga 424 kandidatë për Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 103 kandidatë kanë arritur që ta kalojnë testin e aftësivë fizike. Këta do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim me 26.10.2020. Testimi i radhës do të zhvillohet në pallatin e Kongreseve. Ndërsa pas testit të esesë, i pret Vetting-u dhe makina e së vërtetës. Nga 103 kandidatë vetëm 60 do të pranohen në BKH.
BKH-ja ka në plan të shfrytëzojë çdo hapësirë për të zbuluar paratë e pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një pakt me Drejtorinë e Tatimeve pritet të jetë i vlefshëm për të çuar para drejtësisë këdo që përfiton para dhe pasuri në mënyrë të paligjshme. Ndër vite shumë zyrtarë të Policisë dhe Prokurorisë kanë firmosur marrëveshje me institucionet e tjera ligj zbatuese, por deri tani nuk është zbuluar asnjë Al Kapone në vend.
Aktualisht në SPAK që prej krijimit janë 180 kallëzime dhe procedime penale të regjistruara për korrupsion nga zyrtarët e lartë si dhe krime të rënda. Këto dosje pritet të ndiqen nga oficeret e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Hajnaj merr detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Selia e BKH-së do të jetë në të njëjtën godinë me SPAK. Hajnaj pritet të çelë tani garën e përzgjedhjes së 60 oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.