FBI-ja shqiptare, testi fizik për 18 kandidatët në garë për BKH-në

18 kandidatë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas kalimit të fazës së parë, këtë të enjte i’u nënshtruan testit fizik, të cilët përshkruan me vrap pistën për 2400 m për të testuar aftësitë e tyre fizike.

Ndër 18 garuesit, jo të gjithë e kanë plotësuar kriterin fizik, ndërsa lista me të skualifikuarit dhe ata që do të vazhdojnë fazën e tretë të garës do të bëhet publike këtë të premte. Pas listës së fituesve të testit fizik më pas kandidatët do t’i nënshtrohen testit me makinën e të vërtetës njohur ndryshe si “poligrafi”.

Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ose siç njihet edhe si FBI-ja shqiptare, pritet të përzgjidhet nga një komision i SPAK, në të cilin bëjnë pjesë kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra, i cili ishte edhe sot i pranishëm tek testi fizik, si dhe Eneid Nakuçi.

BKH-ja do të jetë struktura mbështetëse hetimore për SPAK. Në përbërje të saj do të jenë edhe 60 hetues të cilët pas përzgjedhjes do të trajnohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHKARKO APP