Fëmijë të pavaksinuar, gjobë 200 mijë lekë

Dy javë para fillimit të shkollës dhe në periudhën e regjistrimeve, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu urdhëroi monitorim të rreptë të kartelave të vaksinave të fëmijëve, në çdo institucion publik dhe veçanërisht privat. Ministria e Shëndetësisë ka nisur prej disa ditësh kontrollet në kopshte e çerdhe për të verifikuar fëmijët e pavaksinuar.

200 mijë lekë të reja është gjoba për institucionin, nëse fëmijët regjistrohen të pavaksinuar. Masa e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet në prag të fillimit të shkollës dhe pas epidemisë e viktimave që ka shkaktuar fruthi vitet e fundit. Edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria tashmë është një nga vendet ku është rikthyer fruthi. Përfaqësuesi i zyrës së OBSH-së në Tiranë bëri apel për vaksnimin e fëmijëve.

Shqipëria ka një mbulesë të mirë me vaksina, por si e gjithë Europa, edhe këtu po përballemi me steriotipe të gabuara lidhur me vaksinimin si pasojë e lajmeve të rreme që qarkullojnë për vaksinat. Por në fakt vaksinimi është i sigurt, i domosdoshëm dhe shpëton jetë. Vitet e fundit është ulur mbulesa vaksinale dhe veçanërisht në Tiranë. Një pjesë e prindërve refuzojnë t’u kryejnë fëmijëve vaskinën e fruthit, pasi e cilësojnë shkaktare të autizmit, por ka edhe nga ato familje që kundërshtojnë kryerjen e të gjitha vaksinave. Ndërkohë, duke filluar nga 1 tetori, në kalendar do të shtohet edhe vaksina e Rotavirusit.

SHKARKO APP