Fenomeni Abazoviç
Nga: Hamdi Jupe
Kuvendi i Malit të Zi i dha më 28 prill votbesimin qeverisë e re të vendit të vogël fqinj, të drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviç, me 45 vota pro, nga gjithsej 81 deputetë të tij. Qeveria e re me 18 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra është një kualicion me disa parti ku bëjnë pjesë Lëvizja Qytetare “URA” e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë e pakicave të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Nga lista e ministrave, krahas kryeministrit dhe një zëvendëskryeministri, duket se të paktën dy prej tyre janë të kombësisë shqiptare. Kjo është shkalla më e lartë e përfaqësimit të tyre në qeveri, e parë ndonjëherë në vend.
Abazoviç 37 vjeç, i lindur në qytetin e Ulqinit, mbaroi shkollën e lartë për shkenca politike në Sarajevë dhe disa kualifikime pasuniversitare në Suedi dhe SHBA. Doktor i shkencave politike, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Malit të Zi në moshën 27- vjeçare, fillimisht me një parti tjetër. Më vonë krijoi levizjen qytetare “URA” dhe hyri në parlament me një listë intelektualësh të njohur. Me 4 mandate deputetësh, u shfaq si faktor politik kyç për krijimin e qeverisë së re në Parlamentin e copëzuar malazez.
Që nga zgjedhjet e vitit 2020 ai ishte në kualicion me partitë pro – sërbe të Malit të Zi, që vinin për herë të parë në pushtet, pas 30 vjetësh të qeverisjes së partisë së Presidentit Gjukanoviç. Ai u përcaktua qartë kundër klasës së vjetër politike që ishte mbuluar me akuza për korrupsion e shpërdorime, prandaj pranoi të merrte pjesë në qeveri me parti të reja, pa barrën e akuzave të qeverisjes.
Në marrëveshjen me to për bashkëqeverisjen, ai nguli këmbë që në deklaratën e përbashkët të shprehej se qeveria e re e Malit të Zi do të vazhdonte të njihte edhe më tej pavarësinë e Kosovës, si dhe vendi do të vazhdonte të ishte anëtar i NATO-s. “Torta” e lakmuar e pushtetit, e ëndërruar prej tridhjetë vjetësh, u nda kështu në tri pjesë: Bebiç i partisë DCR u zgjodh kryetar i Kuvendit; Krivokapiç i Frontit Demokratik – kryeministër dhe Abazoviç i uRA-s, – zëvendës i tij. Por “muaji i mjaltit” nuk vazhdoi gjatë.
Qeveria e krijuar prej tri partish kaloi një vit e gjysmë jetë në kalvarin e gërr – mërreve të brendshme, duke qëndruar në fije të perit prej konflikteve politike. Shpejt zëvendëskryeministri Abazoviç tregoi se nuk ishte atje për fasadë dhe as për të plotësuar numrat. Mosmarrëveshjet brenda qeverisë çuan së pari në shkarkimin e njerit prej anëtarëve të kualicionit, kryetarit të Parlamentit Bebiç. Më tej ishte Abazoviç që do të iniconte një mocion mosbesimi ndaj qeverisë ku bente pjesë, duke prerë kështu degën ku qëndronte vetë. Qeveria u kundërpërgjigj me votbesimin për shkarkimin e zëvendëskryemnistrit të saj në Kuvend.
Abazoviç i mbijetoi me sukses mocionit, duke fituar tani jo katër vota që kishte të partisë së vet, por një shumicë dërmuese prej 57 votash, kundrejt vetëm 20 votave për shkarkim. Në këtë “teatër absurd” të luftës për pushtet, “Ylli” shqiptar në ngjitje në Malin e Zi u pa si kandidat i mundshëm për kryeministër të ri, për të zgjidhur rebuset e mëdha politike të shtetit të vogël me 620 mijë banorë. Kryeminitrin e shkarkuar Krivokapiç nuk e ndihmoi dot as Kisha Ortodokse serbe e Malit të Zi, e cila mbështeti hapur.
Presidenti i vendit Milo Gjukanoviç projektoi Abazoviçin për numrin një të qeverisë së re. “Përfaqësuesit e Lëvizjes “URA” dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje, se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamenti. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur Qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politikës të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozimin e mandatarit”, tha Gjukanoviç atëherë.
Kandidatit të emëruar për kryeministër iu deshën gati dyzetepesë ditë konsultime për të krijuar kabinetin e ri, duke ecur mbi litarin e ekuilibrit të forcave politike. Ai tha më në fund se kishte siguruar votat mbeshtetëse në Kuvend dhe kjo u provua gjatë votbesimit.
Politikani i ri shqiptar i skenës malazeze po i befason të gjithë me sukseset e tij të njëpasnjëshme. Gjatë dhjetë vjetëve, qysh se trokiti për herë të parë në dyert e Kuvendit, ai i ka ngjitur me shpejtësi dhe vendosmëri shkallët e karrierës. Kështu duket se po vazhdon edhe tani. Me formim perëndimor, me ambicie të mëdha politike dhe me sensin e bashkëpunimit me të gjitha forcat serioze politike, ai po tregon se e ka merituar mandatin e dhjetë vjetëve si deputet. Tani edhe si kryeministër.
Partia e zotit Abazoviç “URA” nuk është e bazuar në ndonjë përkatësi nacionale, dukuri e njohur kjo Mal të Zi. Ai pretendon se ajo është e të gjithë qytetarëve malazezë, pavarësisht nga kombësia. Kjo, me sa duket, i garanton edhe atë lloj suksesi që ka patur deri tani. Në zgjedhjet lokale të zhvilluara në fund të marsit në Ulqin ajo hyri së bashku me një koalicion partish dhe mori numrin më të madh të mandateve për Kuvendin e Ulqinit, 15 vende, nga 18 që morën katër kualicione të tjera zgjedhore. Duke u folur në gjuhën shqipe bashkëqytetarëve pas kësaj fitoreje, Abazoviç u shpreh. “Gëzohuni të gjithë, se të gjithë kemi fituar”. Kjo frymë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me faktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm, me sa duket, është çelësi i suksesit të tij.
A do të mbijetojë qeveria e sapokrijuar deri në zgjedhjet e reja parlamentare që duhet të zhvillohen pas 2 vjetë e gjysmë? Terreni nëpër të cilën ajo do të shkelë është i minuar nga shumë faktorë politikë dhe nacionalë atje. Megjithatë, mbështetja e qartë që ai mori në Kuvend jep shpresa për mbijetesë. Lodhja nga lojërat e brendshme politike të deritanishme, mund t’i ketë bindur malazezët se është më mirë të shkojnë në zgjedhje parlamentare kur të vijë koha kushtetuese. Deri tani ai u ka mbijetuar me sukses stuhive politike të vendit fqinj. Në fund të fundit, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, Dritan Abazoviç ka hyrë tashmë në historinë politike të Malit të Zi si kryeministri i parë shqiptar atje. Le t’i urojmë sukses në punën e tij.
Marrëdhëniet e vendit tonë me fqinjin verior janë të mira dhe pritet edhe më tej të jenë të tilla. Mali i Zi nuk është ende pjesë e nismës së Ballkanit të hapur, por kjo nuk ka penguar që të ketë bashkëpunim midis dy vendeve. Kryeministri shqiptar Edi Rama, që u investua publikisht në shërbim të partisë humbëse të Gjukanoviçit në prag të zgjedhjeve parlamentare të dy viteve më parë, e ka pritur në Tiranë zvëvendeskryeministrin Abazoviç dhe, sa është kuptuar publikisht, ka vendosur raporte të mira me të. Ai e përshëndeti edhe postin e ri të kryeministrit që sapo mori zoti Abazoviç. Kjo përbën edhe njëlloj ndjese të tij për ndërhyrjen brutale në punët e brendshme të një shteti tjetër në fushatën zgjedhore dy vjet më parë.