Ferati-Hoxha diskutojnë për Korridorin VIII dhe bashkëpunimin dypalësh

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i Maqedonisë së Veriut, Agon Ferati, është takuar në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Në qendër të diskutimeve ishin forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore dhe thellimi i bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian.

Gjatë takimit, Ferati prezantoi angazhimin e institucionit që drejton për të krijuar një klimë më të mirë bashkëjetese mes komuniteteve etnike dhe për të luftuar stereotipat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për nxitjen e kohezionit social dhe afrimin e qytetarëve.

Nga ana e tij, ministri Ferit Hoxha shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në fusha të ndryshme. Një vëmendje e veçantë iu kushtua Korridorit VIII dhe nevojës për koordinim të mëtejshëm për realizimin e këtij projekti strategjik. Sipas planifikimeve të bëra të ditura, pjesa rrugore e korridorit në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2029, ndërsa segmenti hekurudhor në vitin 2032.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministrat vlerësuan gjithashtu rëndësinë e lehtësimit të procedurave kufitare, me synimin për të përmirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të nxitur shkëmbimet ekonomike e tregtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë bisedimeve u theksua se partneriteti rajonal dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten objektiva të përbashkëta për të dyja vendet. Përparimi në këtë drejtim shihet si një mundësi për zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte zgjerimi i bashkëpunimit përmes organizatave të shoqërisë civile, krahas atij ndërinstitucional.

Në përfundim, Ferati dhe Hoxha riafirmuan angazhimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për ta kthyer bashkëpunimin në rezultate konkrete në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 630 (12.5%)
Jo 4392 (87.5%)

Vota totale: 5022