Fermerët shqiptarë në krizë, Zusi apelon qytetarët: Blini sa më shumë prodhime vendase

Sektori i eksportit të fruta-perimeve në Shqipëri është në krizë. Alarmi vjen nga Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë.

Në një lidhje me skype për Ora News, Zusi tha se zona e  Beratit dhe Lushnjes, lokomotiva e eksporteve, janë të gjunjëzuara.

Ai apeloi qytetarët që të blejnë sa më shumë produkte vendase në mënyrë që ti japin një dorë fermerëve shqiptarë.

“Në  vend që ti mbajmë me asistencë, ti mbajmë duke u blerë produktet e tyre”, apeloi Zusi.

Alban Zusi: Sapo u shkëputa nga videokonferencë me 9 prej eksportuesve apo prodhuesve kryesorë të sektorit të fruta-perimeve që në këtë periudhë do të duhej të ishte duke mbajtur peshën kryesore të eksporteve. Nuk kam lajme të mira nga ky sektor. Është e pritshme që do binte eksporti, ka rënë konsumi në Europë dhe kemi orare të reduktuara. Edhe eksporti i produkteve shqiptare, veçanërisht i fruta-perimeve është në krizë të thellë dhe është lajm që duhet të na alertojë të gjithëve. Kriza e eksportit të fruta-perimeve do të thotë krizë e fermerit, furnitorëve me impute, fidanë, farëra, plehra kimë. Krizë e gjithë sistemit. U lutem qytetarëve të blejnë sa më shumë prodhime vendase për të ndihmuar fermerin shqiptar. 

Të blejmë produktet shqiptare, fruta-perimet shqiptare. Më mirë t’ua çojmë duke blerë produktin, janë të gatshëm ta shesin dhe me çmimin e kostos që të paguajnë detyrimet dhe të jenë në gjendje të mbjellin për sezonin e ardhshëm. Pjesa e Beratit dhe Lushnjes, lokomotiva e eksporteve, janë të gjunjëzuara. Magazinat e eksportuesve janë të mbushura me produkt dhe kanë filluar të refuzojnë blerjen e produktit. Nëse nuk u gjendemi në krah fermerëve kemi për ta pasur shumë të vështirë që ti mbajmë. Por në vend që ti mbajmë me asistencë, ti mbajmë duke u blerë produktet e tyre.

SHKARKO APP