Festa e Fiter Bajramit, Ruçi uron besimtarët myslimanë: Bajram të bekuar dhe të gëzuar
Me rastin e festës së Fiter Bajramit, që është ditën e nesërme, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar besimtarët për një bajram të bekuar dhe të gëzuar. ”Lajmi i mirë është se ne shqiptarët po lehtësohemi prej vuajtjes që shkaktoi pandemia dhe jemi në pragun e daljes e shpëtimit prej saj. Festa e Fiter Bajramit na i lehtëson sakrificat, na i shton shpresat dhe na e shumëfishon gëzimin e rikthimit në normalitetin e jetës”.
Urimi i plotë
Gëzimi i festës së bekuar të Fiter-Bajrami vjen pas një muaji sakrificash të agjërimit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë u falën, dëshmuan besimin, dashurinë, shpresën, solidaritetin dhe humanizmin. Fiter Bajrami është për myslimanët shqiptarë një festival i shpalosjes së vlerave më të mira të besimtarëve, është pjesë e mozaikut shpirtëror të shumë traditave shqiptare e botërore.
Myslimanët shqiptarë nderojnë fenë e tyre dhe pasurojnë jetën shpirtërore të kombit. Edhe këtë vit muaji i Ramazanit dhe Fiter Bajrami janë gëzime brenda një dhimbjeje të madhe që ka kapluar gjithë njerëzimin. Por lajmi i mirë është se ne shqiptarët po lehtësohemi prej vuajtjes që shkaktoi pandemia dhe jemi në pragun e daljes e shpëtimit prej saj. Festa e Fiter Bajramit na i lehtëson sakrificat, na i shton shpresat dhe na e shumëfishon gëzimin e rikthimit në normalitetin e jetës.
Pas kufizimit të ushtrimit të riteve, agjërimit, gëzimit e shpresës brenda vatrave familjare, ka filluar çlirimi prej tyre dhe festimi e gëzimi bashkarisht. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë besimtarët, institucionet dhe komunitetin mysliman për mbështetjen që u dhanë qytetarëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve e më të dobtëve për të përballuar mundimet dhe vuajtjet që shkaktoi pandemia. Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar! Të gjithë myslimanëve u uroj Bajram të bekuar dhe të gëzuar! Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë shqiptarëve