“Festa e qershisë” në Godolesh promovim traditës dhe potencialit të zonës
Godoleshi u kthye këtë fundjavë në qendrën e festimeve të traditës dhe produkteve lokale me organizimin e “Festës së qershisë”, një aktivitet që promovon vlerat bujqësore, kulturore dhe turistike të zonës.
Qindra vizitorë nga Elbasani, qytete të tjera të vendit dhe turistë të huaj morën pjesë në festën e zhvilluar në qendër të fshatit, ku nuk munguan muzika, aktivitetet argëtuese dhe panairet me produkte vendase.
Vëmendjen kryesore e mori qershia, produkti më i njohur i Godoleshit, e cila u ekspozua në stendat e fermerëve vendas. Vizitorët patën mundësi të njiheshin nga afër me prodhimet e zonës, ndërsa panairi artizanal solli një mozaik punimesh tradicionale dhe suveniresh karakteristike.
Atmosfera festive u pasurua nga programi artistik me këngë, valle popullore dhe performanca të ndryshme kulturore, që tërhoqën interesin e të pranishmëve gjatë gjithë mbrëmjes.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe fëmijëve, të cilët u bënë pjesë e lojërave dhe aktiviteteve të organizuara për ta.
“Festa e qershisë” është kthyer në një traditë të rëndësishme për Godoleshin, duke shërbyer si një mundësi për promovimin e fermerëve vendas dhe produkteve tipike të zonës, por edhe për të nxitur zhvillimin e turizmit rural.
Përmes këtij aktiviteti, bashkia Elbasan synon të vlerësojë punën e fermerëve dhe të promovojë pasuritë natyrore e kulturore të territorit, duke e shndërruar Godoleshin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

