Festa e Roshnikut/Promovohet turizmi malor në zonën e Malit të Tomorit

Bashkia Berat në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit organizoi “Festën e Roshnikut”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Turizmit, Bashkia Berat në bashkëpunim me organizatën CNVP, organizuan “Festën e Roshnikut”.  Në këtë ditë fokusi ishte promovimi i vlerave të turizmit malor pasi zona e Roshnikut mbart bukuri dhe atraksione, të cilat qëndrojnë pak kilometra larg qytetit të Beratit, por me rëndësi ndaj kërkesave të turistëve vendas dhe të huaj.

Roshniku ka shumë atraksione si: Çesma e Tarkos, Livadhet e Shën Pjetrit, Ujëvara e Beçkës etj., të cilat vlejnë të promovohen në mënyrë që gjithçka të jetë lehtësisht e identifikueshme dhe çdokush të preki nga afër këto atraksione. Aktivitetet startuan me Panairin e produkteve të zonës me më pas me një koncert me muzikë tradicionale dhe ekskursione në Livadhet e Shën Pjetrit, Çezma e Tarikos dhe Ujëvara e Beckës. Në Panair morën pjesë disa fshatra si Roshniku, Kostreni, Godgani, Vojnik, Mimias dhe Karkanjoz, ku ekspozuan produkte tipike të zonës vera, rakia, lloje të ndryshme djathërash, komposto, arra, bajame, gorica, mollë, varietete të fikut të famshëm të Roshnikut etj. Fermerët e zonës e konsiderojnë zhvillimin e agrobiznesit si jetik për ekzistencën e tyre dhe e shikojnë të ardhmen e Zonës së Roshniku të lidhur ngushtë me turizmin malor dhe kulturor.

Roshniku është një nga njësitë administrative të Bashkisë Berat me pasuri të pashtershme. Mendja dhe duart e fermerëve të kësaj zone tradicionalisht janë shquar si mjeshtra të kultivimit në frutikulturë, blegtori si dhe të nënprodukteve të tyre. Togfjalëshi “fik Roshniku” ku emri i frutit identifikohet me emrin e fshatit rrallë ndodh në historinë e fshatrave. Kjo në vetvete ka një histori që fillon me këtë “fryt” që dikur ka mbushur tregjet e Europës. I tillë mund të jetë edhe sot. Komuna Roshnik ka një bukuri të rrallë natyrore. Kushtet e favorshme klimatike i kanë falur kësaj zone një gjelbërim të përhershëm. Kjo ka sjellë që produktet e saj blegtorale të jenë nga më të kërkuarat në treg. Veç tyre, Roshniku ka një trashëgimi të pasur kulturore.

Nga Roshniku e kanë prejardhjen Qyprillinjtë e famshëm që drejtuan Perandorinë Osmane më shumë se 50 vjet.

 tomorr

SHKARKO APP