Festa kombëtare e Greqisë, ambasadorja Kamitsi konfirmon mbështetjen për Shqipërinë
Me rastin e 202-vjetorit të pavarësisë së Greqisë, Ambasada Helene në Tiranë zhvilloi një pritje ku të pranishëm ishin anëtarë të selive të tjera diplomatike në Tiranë, si dhe politikanë. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi pohoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në perspektivën e saj europiane.
“Greqia prej kohësh ka qenë në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë. Konferenca e parë ndërqeveritare e cila u mbajt në korrikun e shkuar shënoi një hap domethënës drejt integrimit të Shqipërisë. Fakti që Shqipëria mirëpriti në mënyrë të suksesshme në Tiranë samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, takim ky që zhvillohej për herë të parë jashtë Brukselit, ka një rëndësi të veçantë”, tha ajo.
Diplomatja greke theksoi se të dyja vendet, veç fqinjësisë së mirë janë dhe partnerë dhe aleatë të ngushtë. Ajo theksoi se si minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar që jeton në Greqi përbëjnë një urë bashkëpunimi mes dy vendeve. Ambasadorja Kamitsi vlerësoi edhe iniciativën e Shqipërisë për të mbrojtur Vjosën duke e shpallur Park Kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

