Festat e nëntorit, Rama publikon fotot nga mbrëmja e Pavarësisë dhe mëngjesi i Çlirimit
Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale disa foto nga festimet e kryera në kuadër të 28-29 nëntorit, dy ngjarje të rëndësishme historike për kombin shqiptar, 112-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, si dhe 80-vjetori i Çlirimit.
Kreu i qeverisë ka publikuar foto nga ceremonia shtetërore e pritjes në Presidencë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, mbrëmjen e djeshme me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, pasardhës të familjeve atdhetare të firmëtarëve të Pavarësisë, përfaqësues të forcave politike shqiptare në Shqipëri dhe rajon, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të komuniteteve fetare, si dhe personalitete të sipërmarrjes, artit, kulturës dhe medias.
Po ashtu Rama ka ndarë disa foto edhe nga homazhet e kryera mëngjesin e sotëm tek Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
“FotoALBUMI i mbrëmjes së Pavarësisë dhe mëngjesit të Çlirimit”, shkruan kreu i qeverisë, i cili e ka shoqëruar postimin me një poezi nga At Gjergj Fishta “Shqypnija”:
Po, edhè hâna do t’a dijë,
dhè dielli do t’két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.