Festivali Folklorik në Gjirokastër, zv.ministrja e Kulturës: Do të performojnë 1200 artistë
Gjirokastra është kthyer në kryeqytetin e kulturës shqiptare, pasi ka nisur Festivali Folklorik Kombëtar, që pritet të zgjasë një javë ku do të performojnë 1200 artistë.
Zv.ministrja e Kulturës Meri Kumbe u shpreh se në qytetin e Gjirokastrës gjatë këtij festivali do të performojnë artistë jo vetëm nga të gjitha qarqet e vendit, por edhe nga trevat të tjera shqipfolëse.
Sipas Kumbes, festivali është një festë që do të bashkojë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Festivali, thekson më tej Kumbe, ka shtuar ndjeshëm numrin e turistëve.
‘Gjirokastra e vërtetë këto ditë është magjike. Rikthehet pas 8 viteve për shkak të pandemisë, pasi ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2020. Jemi në Gjirokastër plot me artistë dhe plot ngjyra. Numri i artistëve që do të performojnë është 1200 dhe do të zgjasë deri më 1 korrik. Janë 8 net ku vijnë të gjitha qarqet e Shqipërisë, por kemi të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare. Është një festë që ka bërë bashkë shqiptarët anë e mbanë botës dhe do të performojnë të gjithë në Gjirokastër. Festivali ka shtuar numrin e turistëve në të gjithë zonën. Motivi i këtij viti kanë qenë artizanët.’- tha zv.ministrja.