Festivali i teatrit në Elbasan, ngjitet në skenë Maia Morgenstern
Në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në skenën e teatrit “skampa” është ngjitur Maia Morgenstern, një ndër aktoret më të njohura të kinematografisë dhe skenës, e përshkruar nga media dhe kritika si “Simbol i teatrit dhe filmit rumun”, e ftuar speciale në këtë festival. Emocionet e Maias kanë qenë të mëdha për një arsye të veçantë. “Unë pata privilegjin dhe nderin të përformoj për zonjën Margarita Xhepa. Dhe nëse më pyet si u ndjeva në këtë skenë, mbi të gjitha unë isha plot me emocione, plot energji pozitive, pasi Margarita Xhepa ishte këtu dhe ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua, shumë shumë i rëndësishëm. Unë kam luajtur edhe në Tiranë shumë vite më parë, por kjo ishte eksperienca më e veçantë që unë kam luajtur deri tani”, u shpreh aktorja.
Morgenstern numëron me dhjetëra role në filma dhe shfaqje teatrore në Rumani, por roli i saj më i spikatur botërisht mbetet ai i Shën Marisë, nënës së Jezusit, në filmin e Mel Gibson “Pasioni i Krishtit”. Maia Morgenstern eshte ngjitur në skenën e Teatrit Skampa, së bashku me një tjetër aktor të njohur rumun, Marius Bodochi, me shfaqjen “Marina and Ulay”, ku ajo portretizoi artisten e shquar, Marina Abramović, duke sjellë në kujtesë historinë e saj të dashurisë me Ulay dhe disa prej performancave të saj më me ndikim në histori. Ndërkohë që vlerëson organizimin e këtij festivali dhe mikpritjen e publikut, Maia shprehet e sigurtë se do të kthehet në Shqipëri.
“Ishte një publik mikpritës, ne krijuam batuta mes nesh. Publiku ishte me ne, jo i ndarë nga skena. Ka llojë të ndryshme performancash, por ky është një teatër modern bashkëkohor, ka mënyra të ndryshme për të performuar për të përcjellë mesazhet, për të trajtuar artin modern. Sigurisht, ne kemi rrënjët tona në artin klasik, dramaturgjinë klasike, por në të njëjtën kohë unë dhe Marius, ne nuk jemi më të rinj, pra është mënyra jonë, si të rritur për t’ju drejtuar rinisë për të qenë kontemporanë me brezin e ri. Duhet të vendosim nëse jemi me brezin e ri, apo jashtë tij, apo të gjejmë urën që bashkon brezat”, tha Maia. Kjo shfaqje është cilësuar nga audienca dhe mediat si “një performancë e shkëlqyer dhe mbrëmje e paharrueshme, kudo ku është prezantuar” dhe po ashtu u mirëprit nga publiku elbasanas.