Fier: Operacioni “XUEX” godet skemat piramidale online, 6 të arrestuar, 2 në kërkim
Në një konferencë të përbashkët për shtyp mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Fierit, u prezantuan rezultatet e operacionit policor të koduar “XUEX”, një aksion i gjerë kundër veprimtarive kriminale online të skemave piramidale. Të pranishme në konferencë ishin Drejtoresha e Hetimit të Krimit Kibernetik, Ervina Gjana, dhe Prokurorja Jonida Allushi, të cilat bënë publike detajet e hetimit dhe finalizimit të operacionit.
Operacioni “XUEX” u zhvillua pas një hetimi disa mujor, i mbështetur në informacione të verifikuara dhe teknologji të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain). Skema mashtruese funksiononte online, duke përdorur platforma të rreme investimi dhe kriptomonedha si USDT dhe TRON, për të joshur qytetarët me premtime për fitime të shpejta dhe të sigurta.
Individët e përfshirë vepronin si agjentë rekrutues në grupe të mbyllura në aplikacione si Telegram, ku udhëzonin qytetarët të investonin dhe të sillnin pjesëmarrës të rinj — një model klasik piramidal ku vetëm nivelet e larta përfitonin, ndërsa pjesa tjetër humbiste kursimet.
6 persona të arrestuar: A. Ç., E. T., F. M. (banues në Lushnjë), M. K. (Tiranë), B. T. dhe B. N. (Divjakë)
2 persona në kërkim: E. Sh. dhe A. Sh. (Divjakë)
83 kontrolle në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh
Sekuestro: 50 celularë, 11 kompjuterë, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë, 340 franga dhe 6 llogari kriptomonedhash të ngrira
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Fierit theksojnë se ky rast duhet të shërbejë si paralajmërim për qytetarët: investimet që premtojnë fitim të menjëhershëm janë shpesh mashtrime të strukturuara. Qytetarët ftohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim profesional.
Ky operacion është një dëshmi e përkushtimit institucional për të luftuar krimin kibernetik dhe për të mbrojtur qytetarët nga format moderne të mashtrimit financiar.
av/kj
KOHA JONË SONDAZH

