Fillon nga puna helikopteri i ri i shërbimit të transportit mjekësor

Flotës së Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter (NJTMH) iu shtua një helikopter i ri modern i specializuar për transportin e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore. Lajmi u bë me dije dje (24/3/2015) nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në ceremoninë e organizuar me këtë rast në mjediset e kësaj Njësie, që përkoi edhe me 20-vjetorin e krijimit të saj (23/3/1995).

Nevoja për të fuqizuar dhe modernizuar kapacitetet e NJTMH-së, misioni i së cilës është ofrimi i shërbimit të transportit mjekësor në rastet e urgjencave mjekësore, lidhet me zbatimin e angazhimeve të Programit Qeverisës për shërbimin e urgjencës mjekësore. Ne jemi zotuar se do të ngrejmë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili do të mund të sigurojë prani të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke i’u përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për të ofruar kujdes shëndetesor në sëmundshmëri dhe trauma, tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj.

Për këtë qëllim, tha më tej z. Beqaj, “do të vazhdojmë të fuqizojmë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, i cili është një projekt madhor i këtij mandati qeverisës, për të filluar qoftë me ngritjen e miratimin ligjit, bazën ligjore, fuqizimin e plotë të flotës me 20 autoambulanca të reja, të cilat janë praktikisht operative në terren,” duke shtuar se “ky investim i filluar që vjet është tashmë i gatshëm”.

Helikopteri i tipit EC-135 i prodhuar nga kompania Airbus Helicopters, një kompani me reputacion të shquar ndërkombëtar në fushën e prodhimit të helikopterëve civilë dhe ushtarakë, dhe veçanërisht helikopterëve të specializuar për transportin e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore, të prodhuar dhe të çertifikuar sipas standardeve të EASA-s (European Aviation Safety Agency – Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit), Certification Specifications Part 27; USA Federal Aviation Regulations Part 27/29; dhe atyre JAR-OPS 3 (the Joint Aviation Requirement for the operation of commercial air transport), që kërkohen posaçërisht për këtë lloj transporti ajror është i pajisur, ndërmjet të tjerash, edhe me: monitor; defribilator; aspirator; 3 bombola oksigjeni për 200 minuta fluturim; dy barrela për sipas përcaktimeve të njohura ndërkombëtarisht për sistemin HEMS (Helicopter Emergency Medical Service – Shërbimi i urgjencës mjekësore për helikopterë); sedilje specifike për HEMS; mbledhëse gjaku; kabinet mjeku. Të gjitha këto pajisje mjekësore janë përputhje me standardet EASA.

“Pajisja e Njësisë me helikopterin e ri EC-135, me konfigurim të plotë për misione “EMS”, është ngritje në një shkalle më të lartë e përfaqësimit të punës së saj, që tregon se shërbimi i ofruar do të jetë më i sigurtë dhe më bashkëkohor sipas kërkesave të EASA-s dhe JAR-OPS 3”, theksoi z. Albert Xhafaj, Shef i NJTMH. Gjate këtyre 20 vjetëve, NJTMSH ka realizuar gjithsej: 30 350 fluturim; për 7 468 orë; duke kryer 9 000 operacione urgjence mjekësore në të gjithë vendin.

SHKARKO APP