Flakët ende aktive, ja vatrat që mbeten shqetësuese në vend

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë regjistruar 26 vatra zjarri. Prej tyre, katër vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera mbahen nën monitorim.

Vatra më problematike mbetet ajo në Malin e Dajtit, në zonën e Qafë-Priskës, ku janë shënuar riaktivizime dhe zgjerim i flakëve. Në terren po punojnë 15 efektivë zjarrfikës, 9 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 20 ushtarakë të Forcave të Armatosura.

Edhe në qarkun e Dibrës situata mbetet e vështirë, me zjarre aktive në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal janë angazhuar 68 forca, ndërsa në Sllatinë operojnë 91 efektivë. Autoritetet bëjnë me dije se në këtë të fundit nuk ka rrezik për banesat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të monitorohen, por nuk përbëjnë kërcënim për zonat e banuara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministria njofton gjithashtu se gjatë natës është regjistruar një tërmet me magnitudë 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, në bashkinë Delvinë. Sipas autoriteteve, lëkundjet nuk kanë shkaktuar dëme apo probleme për banorët dhe infrastrukturën.

Në total, për përballimin e situatës janë angazhuar 315 forca operacionale, 25 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 4 helikopterë, të cilët po mbështesin operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?