Flakët përfshijnë dy zona në Vlorë, forcat zjarrfikëse angazhohen për shuarjen
Dy incidente me zjarr janë regjistruar thuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke vënë në gatishmëri shërbimin zjarrfikës, i cili është detyruar të shpërndajë forcat në dy drejtime për të menaxhuar situatat.
Vatra e parë e zjarrit është shfaqur në ambientet e një biznesi ushqimor, konkretisht në një “fast food”. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i shpërthimit të flakëve ka qenë një bombol gazi. Situata ka krijuar panik për shkak të tymit të dendur që ka pushtuar ambientet, ndërsa zjarri ka shkaktuar dëme materiale në brendësi të subjektit.
Pas marrjes së njoftimit, ekipet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për izolimin e flakëve. Falë reagimit të shpejtë, zjarri është neutralizuar dhe është shmangur përhapja e tij në ambiente të tjera përreth.
Në të njëjtën kohë, një tjetër vatër zjarri është regjistruar pranë shkollës “Ali Demi” në Vlorë, ku është përfshirë nga flakët një kabinë elektrike. Për shkak të rrezikut që paraqiste kjo situatë, veçanërisht për banorët e pallatit pranë, zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe duke punuar për shuarjen e zjarrit.
Ndërhyrja në kohë e ekipeve të emergjencës ka bërë të mundur vënien nën kontroll të të dyja situatave, duke parandaluar pasoja më të rënda.
Fatmirësisht, nga dy zjarret e regjistruara në qytetin bregdetar nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e sakta që çuan në shpërthimin e flakëve në të dyja rastet.
KOHA JONË SONDAZH

