Flamuri më i madh i punuar ndonjëher me origam; Artistja garon për rekordin GUINNES

Artistja Arbnora Fejza Idrizi, emri i të cilës është shkruar tre herë në librin e rekordeve botërore Guinnes, ka treguar emocionet dhe eksperiencën në punimin e saj më të ri, flamurin shqiptar më të madh me origam (me palosjen e fletëve), që garon për rekordin GUINNES.

E pyetur për punën e madhe dhe sfidat që ka kaluar gjatë këtij projekti, Arbnora Fejza shprehet se i janë dashur 120 mijë pjesë letre të punuar. Në këtë projekt janë angazhuar nxënës të medresesë në Prishtinë dhe familjarë të saj.

“Ky projekt ka qenë një ndër projektet që e ka punuar me shumë dashuri, por edhe një nga më të vështirat që e kam realizuar. Ka qenë një punë sfiduese për mua dhe për të gjithë stafin, kështu që jam shumë e lumtur që kam arritur të realizoj diçka gjigante për nder të festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe t’ja bëj dhuratë shtetit shqiptar. I gjithë procesi i punës ka shkuar mirë, por edhe pavarësisht sfidave që u përballëm ne arritën që t’ja dilnim. Është dashur një muaj që të bëhej përgatitja e letrës, ku një copë letër ka pasur 10 palosje në vete, është dashur 120 mijë pjesë letre të punuar dhe të bëhen palosjet e duhura. Vështirësia më e madhe ka qenë kur kemi bërë matjet e para për të bërë shqiponjën, ato pikat koordinuese, masat etj.

Por më pas puna ka vazhduar ashtu siç e kemi planifikuar, përkundër vështirësive. Fillimisht kur kam bërë palosjet e letrave, kam angazhuar afër 70 nxënës nga shkolla e mesme “Medreseja Alauddin” Prishtinë, ku kanë punuar rreth 50 mijë pjesë letër, ndërsa 70 mijë pjesë kam punuar unë me disa familjarë të mi, ku nuk ka qenë aspak e lehtë. Një grup tjetër ka bërë dhe numërimin e tyre. Ka qenë një punë sfiduese për të gjithë grupin, mirëpo punimin e shqiponjës dy ditët e para e kam bërë vetë me dy-tre veta sepse kam pasur frikë t’ja besoj punën nxënësve. Natën finale me të gjithë stafin ne kemi bërë edhe punë përmbyllëse, përfundimin e flamurit gjë që na ka bërë të lumtur”, u shpreh Arbnora Fejza Idrizi.

SHKARKO APP