Flet kryeprokurori i përgjithshëm për Saimir Tahirin

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka nisur takime urgjente në Vlorë dhe në Lushnje nisur nga situata e rëndë kriminale në këto qytete, ku vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme në qytetin bregdetar u zbulua baza ku strehohej lënda narkotike e bandës së Moisi Habilajt, të arrestuar në Itali si kreu i bandës së trafikut ndërkobmëtar të drogës, kushëri i largët i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas hetimeve të kryera këtë të enjte Prokuroria për Krime të Rënda nxorri urdhër-arrestin për Tahirin duke i kërkuar Kuvendit që të heqë imunitetin e deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri. Ndaj tij janë ngritur dy akuza: “Trafiku i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsioni pasiv i zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, I pyetur nga gazetarët për arrestimin e Tahirit pas takimit me prokurorët në Lushnje, Llalla tha se “mandatin e Tahirit e ka në dorë Kuvendi”

Kryeprokurori Llalla ndodhet në Lushnje për një takim me prokurorët, pas atentatit që tronditi qytetin pak ditë më parë, ku mbetën të vdekur dy persona.

Më herët pas takimit me prokurorët në Vlorë Llalla u shpreh:

Ndodhemi sot në Prokurorinë e Vlorës për shkak të situatës shqetësuese të krijuar në këtë qark. Ngjarjet kanë qenë të vazhdueshme. Më së tepërmi ngjarja e mbrëmshme. Prokuroria ka bërë disa muaj hetim për rastin konkret dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë u finalizua me rezultate konkrete. Besoj se ne vijim do të kemi të dhëna më të sakta e më korrekte. Jemi në fazën e hetimeve. Gjithçka për arrestimet varet nga rezultatet konkrete”, u shpreh kryeprokurori para gazetarëve.

 

SHKARKO APP