Flet Toni: Intriga e Doshit synon destabilizimin e vendit

Fation Skënderi, ose ndryshe Toni, që akuzohet nga deputeti Tom Doshi se ka porosituar vrasjen e tij, thotë në një intervistë për Panoramën se nuk ka njohje me Doshin.

Sa i përket Durim Bamit, që dyshohet si personi që do kryente vrasjën, Toni thotë: “Durim Bamin e kam njohur kur isha i dënuar dhe vuaja dënimin, siç kam njohur shumë të tjerë”.

Toni thotë se ngjarjen e ka mësuar nga mediat.

Ai shpjegon se kishte ikur në Gjermani, pasi kishte lënë një vizitë mjekësore për të shoqen.

“Ndërkohë marr vesh nga miku im, Ymer Lala, i cili më merr në telefon dhe kërkon që të më takojë urgjentisht. Vjen Ymeri në Gjermani dhe më thotë se ‘më ka thirrur Tom Doshi në telefon dhe më ka thënë se Fationi është pjesë e grupit që kërkon të më vrasë mua’. Mbeta i shokuar, sepse isha në Gjermani për një problem shumë serioz shëndetësor”.

“I shqetësuar fillova të vras mendjen se përse lakohet emri im. Mendja më shkoi tek atentati që më kishin bërë pak kohë më parë”.

Duke shpjeguar atentatin ndaj tij, Toni thotë se ai ndodhi tek rrethrrotullimi te Casa Italia.

“Më parakalon një makinë me shpejtësi dhe dëgjova vetëm breshëri automatiku. Gjashtë plumba hynë në makinën time”.

Toni thotë se këtë ngjarje e ka marrë si gabim objektivi dhe nuk e ka denoncuar në polici.

Por dy- tre ditë më vonë i ka shkuar policia dhe ai thotë se është treguar i gatshëm të deponojë.

Ai shton se ka parë një presion shumë të madh tek policia për ta penalizuar atë.

“Më dukej sikur isha unë atentatori,” thotë ai.

Pas kësaj ngjarje, ai u largua në Gjermani.

Toni thotë se ka treguar gatishmëri për t’u ballafaquar me Doshin, por kjo nuk ka ndodhur.

Toni thotë se nuk ka pasur urdhër ndalimi për të, kur iku në Gjermani.

I pyetur për njohjet me Agim Ramën, kunatin e Sali Berishës, ai thotë se e njeh si person, por nuk kanë diskutuar kurrë bashkë.

Toni thotë se Monika Kryemadhin e njeh vetëm nga televizori.

Toni mohon lajmet se Spartak Braho e ka takuar gjatë kohës që ishte në Gjermani.

Në fund të intervistës, Toni thotë se Tom Doshi i ka dërguar sekserë për të pranuar variantin e tij.

“Toni si person është shumë i vogël për të hyrë në një skenar kaq të zi. Kuptohet se kjo është një stisje që kërkon destabilizimin e vendit dhe ka politikanë të interesuar”.

SHKARKO APP