Foto/Betohen para Presidentit Meta të 8 prokurorët e SPAK-ut, të cilët do jenë tmerri i politikës dhe mafies

Presidenca ka reaguar përmes një deklarate zyrtare pas betimit para Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta te 8 prokurorëve, anëtarë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK-u).

”Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”,-thuhet në deklaratën e Presidencës.

Menjëherë pas betimit, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca reagoi në Twitter. ”Ne mirëpresim betimin sot për 8 prokurorët e SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër # korrupsionit dhe # krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e # anëtarësimit në BE”.

Po kështu ka reaguar ambasada amerikane në Tiranë: Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK).

Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm.

Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar,” thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë nga Presidenca:

Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, të tetë anëtarëve : znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së”, njofton Meta.

SHKARKO APP