FOTO/ Dy mjete të reja i shtohen flotës së zjarrfikëses në Elbasan, së shpejti edhe një stacioni i ri
Flota e automjeteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Elbasan është pasuruar me dy mjete të reja moderne, të pajisura për ndërhyrje në zjarre masive, aksidente rrugore dhe situata të tjera emergjente. Mjetet u inauguruan në ambientet e stacionit të zjarrfikëses në Elbasan, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, dhe kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Investimi është realizuar nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Emergjenca Civile. Dy automjetet e reja, të pajisura për ndërhyrje në zjarre masive, aksidente rrugore dhe situata të tjera emergjente, rrisin ndjeshëm kapacitetet operacionale të repartit zjarrfikës të Elbasanit, duke garantuar një reagim më të shpejtë dhe më efikas në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.
Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri të ditur se modernizimi i flotës nuk do të ndalet me kaq. Ai theksoi se po punohet për ngritjen e një stacioni të ri zjarrfikës në zonën industriale të qytetit, një nga zonat ku ndër vite janë regjistruar disa prej zjarreve më të mëdha dhe më të vështira për t’u menaxhuar.
Sipas kryebashkiakut Llatja, synimi është rritja e mëtejshme e kapaciteteve të shërbimit, jo vetëm përmes shtimit të mjeteve moderne, por edhe me zgjerimin e rrjetit të stacioneve zjarrfikëse dhe forcimin e burimeve njerëzore. Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në realizimin e këtyre investimeve.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, u shpreh se investimet në këtë shërbim tregojnë qartë angazhimin e Bashkisë Elbasan dhe të qeverisë për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes civile. Ai theksoi se Elbasani përballet shpesh me zjarre komplekse dhe me përmasa të mëdha, ndaj vetëm një strukturë e konsoliduar dhe e pajisur me mjete bashkëkohore mund t’u përgjigjet me sukses këtyre sfidave.
Cara nënvizoi gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë masa konkrete edhe për përmirësimin e kushteve të punës së efektivëve zjarrfikës, duke miratuar vendimin nr. 203 për trajtimin financiar të orëve të natës, fundjavave dhe ditëve të festave, si edhe një vendim tjetër që rregullon sistemin e gradave në shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Drejtoria e repartit zjarrfikës në Elbasan shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe investimet në modernizimin e shërbimit, duke theksuar se pajisja me automjete të reja përkthehet në më shumë siguri për qytetarët dhe në rritje të gatishmërisë për t’iu përgjigjur çdo emergjence.
KOHA JONË SONDAZH











