FOTO/ Kryebashkiaku Llatja në çdo shkollë e kopsht, Elbasani gati për vitin e ri shkollor
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026-2027, Bashkia Elbasan ka intensifikuar përgatitjet për të garantuar një fillim sa më të mbarë, të sigurt dhe cilësor për të gjithë nxënësit. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar takime në shkolla dhe kopshte të qytetit dhe njësive administrative, duke u njohur nga afër me masat e marra dhe nevojat e fundit përpara nisjes së procesit mësimor. Në takime kanë qenë të pranishëm drejtues shkollash, mësues, prindër, oficerë sigurie dhe aktorë të tjerë të përfshirë në mbarëvajtjen e institucioneve arsimore.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë siguria e fëmijëve, pastërtia dhe mirëmbajtja e ambienteve, gjendja e rrugëve dhe sinjalistika pranë shkollave, si dhe masat për parandalimin e bullizmit dhe çdo forme dhune. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për fëmijët me aftësi ndryshe.
Ky shtator sjell edhe investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore. Shkollat “Dhaskal Todri” dhe “Shushicë” hapin dyert në godinat e rikonstruktuara, ndërsa Shkolla Speciale “Zëra Jete” mirëpret nxënësit në ambiente të reja dhe bashkëkohore. Ndërkohë, vijon puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”.
Një tjetër risi për këtë vit është zbatimi në 15 shkolla të Bashkisë Elbasan i programit të Ministrisë së Arsimit “Pas Shkolle”. Përmes këtij programi, nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë dhe të angazhohen në aktivitete jashtëshkollore, si muzika, teatri, kërcimi, zejet, piktura dhe sporti.
Programi synon t’u krijojë fëmijëve më shumë mundësi për të zhvilluar talentet, aftësitë krijuese dhe sportive, duke e kthyer kohën pas mësimit në një hapësirë për të mësuar, socializuar dhe zhvilluar më tej. Me ndërhyrjet në infrastrukturë, masat për sigurinë dhe mirëmbajtjen, si dhe programet e reja për nxënësit, Bashkia Elbasan synon që dita e parë e shkollës të gjejë gati çdo institucion arsimor, nga qendra e qytetit deri në njësitë administrative, për një vit të ri shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe plot suksese.
KOHA JONË SONDAZH













