FOTO nga Spitali Infektiv, 2 viktima brenda 24 orëve nga COVID19, një tjetër në vdekje klinike

Shqipëria ka shënuar në 24 orët e fundit 2 viktima nga koronavirusi. Gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës ndërroi jetë një 71-vjeçar. Ndërsa në orët e mëngjesit u nda nga jeta një 43-vjeçar, viktima më e re e koronavirusit në Shqipëri.

Një tjetër pacient 61-vjeçar, fillimisht u raportua i vdekur nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa më pas u njoftua se është në gjendje të rëndë, në vdekje klinike dhe mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar.

Në total numri i viktimave është 4, ndërsa numri i të prekurve 89. Në Spitalin Infektiv janë në trajtim 40 pacientë.

Gjatë ditës së sotme mësohet se të paktën tre persona janë dërguar me urgjencë në Spitalin Infektiv në Tiranë, pasi dyshohet se janë të sëmurë rëndë nga koronavirusi.

Fotot më poshtë, të agjencisë LSA, tregojnë situatën e sotme në hyrje të Spitalit Infektiv në Tiranë.

Spitali infektiv: Njëri prej pacientëve vdekje klinike, përpjekje për ta mbajtur në jetë

Mjekët e spitalit infektiv kanë sqaruar sot situatën e qytetarit i cili u deklarua prej tyre se kishte humbur jetën. Sipas mjekut Pëllumb Pipero 61-vjeçari nga Tirana ka patur vdekje klinike mëngjesin e sotëm, por u bënë përpjekje titanike për ta rikthyer në jetë.
“Kemi raste të rënda dhe kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë por pa e humbur shpresën e personelit shëndetësor, të mjekëve reanimator për ta rikthyer atë në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vazhdon të jetë ende rëndë”, deklaroi Pipero.

Sipas mjekut Pipero situata në shërbimin e sëmundjeve infektive është shumë dinamike. Dinamika sa i takon shtrimeve të rasteve të reja, ndjekjes në dinamikë të rasteve të shtruara në të gjitha pavionet. Tashmë ne kemi më shumë se 40 të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive. Secili nga ato ka problematikën e tij në varësi të të moshës dhe të sëmundjeve kronike. Kemi raste që janë relativisht mirë dhe shpresojmë nga dita në ditë t’i nxjerrim.
“Në këtë situatë, në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë në vendin tonë, të rasteve të shtuara edhe këtu tek Ne, por edhe rasteve të konfirmuara çdo ditë, vazhdoj të këmëngul e t’iu them të gjithë qytetarëve, të jenë të duruar, të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe nëse kanë nevojë mjafton të telefonojnë në numrin 127” tha Pipero.

SHKARKO APP