Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve, një takim i organizuar në mbështetje të Ukrainës. Teksa ka postuar fotot nga pritja, Rama shkruan edhe se samiti zhvillohet në prag të Paradës së Madhe Ushtarake të 14 Korrikut, e cila shënon Festën Kombëtare të Francës.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë liderë të vendeve partnere për të diskutuar vijimin e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë evropiane. “Paris, Francë-Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve, në mbështetje të Ukrainës dhe në vigjilje të Paradës së Madhe Ushtarake të 14 Korrikut”,-shkruan Rama.
Takimi do të mbledhë krerë shtetesh dhe qeverish te gatshme për të vepruar, përfshirë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që do të diskutojnë për koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.
Pjesëmarrja e Ramës në këtë Samit riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët euroatlantikë.
