FOTO/ Stuhia ”Ciarán” godet Shqipërinë, mot ekstrem me reshje. Përmbytje rrugësh dhe aksidente me viktima

Stuhia ”Ciarán” ka prekur edhe Shqipërinë, si një pjesë të mirë të Europës, duke krijuar kështu vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve. Një mot ekstrem, me reshje dhe erë të fortë. Reshjet e pazakonta që përfshinë Tiranën, kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë, ndërsa lumi Lana në disa zona ka dalë nga shtrati duke krijuar vështirësi në qarkullim. Nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku. Edhe në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar, pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra.

Aksidente

Moti i keq ka shkaktuar edhe aksidente, ku numri i jetëve të humbura ka shkuar në dy. Një aksident me vdekje ka ndodhur në aksin Morin-Kukes, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Drejtuesi i mjetit është përplasur me murin anësor të aksit rrugor në rrugën e Kombit. Edhe në aksin Fier-Seman është regjistruar një aksident. Një automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kanal. Për pasojë ka humbur jetën një person.

Veliaj apel qytetarëve

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit. Përmes një postimi në Facebook, Veliaj siguron se ekipet e Bashkisë janë terren për çdo emergjencë, ndërsa bën thirrje që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.

Durrës

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe qytetin e Durrësit, mesditën e të premtes. Për shkak të intensitetit të lartë, shumë rrugë të qytetit u bënë të pakalueshme, duke bërë që uji të arrijë nivelin e trotuareve. Edhe gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, nga ana e kapitanerisë së portit është njoftuar pezullimi i daljes në det të hapur të mjeteve të vogla lundruese dhe ato që funksionojnë për qëllime turistike.

Shkodër

Moti i përkeqësuar ka prekur me reshje shiu mesatare dhe erë të fortë edhe qytetin e Shkodrës. Shpejtësia e erës ka qenë e madhe duke shkulur edhe pemë e duke dëmtuar automjetet e parkuara, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Edhe në Shkodër, orët në vijim pritet të jenë kritike me reshje të forta shiu dhe erë me shpejtësi të lartë.

Probleme me energjinë elektrike në 7 qytete në vend

Mesditën e sotme vendi ynë u përfshi nga stuhia ”Ciaran”, shoqëruar me shtrëngata shiu dhe shkarkesa aftmosferike. Kushtet e motit sollën dëme në shtylla, prezencë uji në kabina, stakime në disa linja 35kV dhe n/stacione.

”Nga raportimi i orës 14:30, rezulton se jashtë pune janë 71 fidera, ku më shumë se 85% prekin abonentë në zonat rurale: Problematika të furnizimit me energji elektrike kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë. Probleme ka patur edhe në n/stacione, por falë reagimit në kohë është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike brenda pak minutash”,-informon OSHEE.

SHKARKO APP