Franz Kafka, shkrimtari mosterioz, njeriun që flijoi gjithçka për të ndriçuar thellësitë e qenies
Nga Albert Vataj
Sot, më 3 qershor, kujtojmë ndarjen nga jeta të një prej figurave më të përveçme të letërsisë botërore: Franz Kafka. Kaluan 101 vite që prej ikjes së tij fizike, por prania e tij në ndërgjegjen tonë letrare e njerëzore është gjithnjë e më e thellë. Kafka nuk është thjesht një autor i gjinisë së absurdit, as një rrëfimtar i ankthit ekzistencial, ai është, mbi të gjitha, një shpirt që refuzoi të pajtohej me komoditetin, me normalitetin, me heshtjen e arsyes. Ai i përket atyre që u vetëflijuan në emër të së vërtetës së brendshme, atyre që përmes artit kërkuan shëlbimin, jo famën. Vdekja e tij ishte e parakohshme, por jo e pakuptim; ishte përmbushje e një profecie që ai vetë e shkroi me frymën e fundit dhe me çdo germë të veprës së tij.
Franz Kafka fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si krijues. Jetoi i përkorë, thuajse i përmbajtur si një shenjt që i kishte hyrë rrugës së shëlbimit, dhe vuajti pa rënë në tundimin e akuzës. Ishte kthjellësia e tij gjykuese, si loti që zbardh fytyrën, ajo që e bënte të duket si një akuzator i kohës, por gishti i tij nuk u drejtua kurrë ndaj askujt. Ishte jeta e vet ajo që e gjykoi, dhe që ai e përthithi në thellësinë e papajtueshmërisë e mungesës njerëzore.
Po të mos e njihnim si shkrimtar, do ta pranonim pa mëdyshje si një shenjt. Kafka ishte një qenie e devotshme ndaj dhimbjes, një murg i shpirtit, i përkushtuar vetëm ndaj artit dhe së vërtetës së brendshme.
Lindi më 3 korrik 1883 në Pragën e Perandorisë Austro-Hungareze, në një familje hebreo-gjermane. U shua më 3 qershor 1924, në moshën 40-vjeçare, i kapluar nga tuberkulozi. Por sëmundja ishte vetëm një nga format e shumta me të cilat Kafka jetoi përballjen me jetën, me njeriun dhe me vetveten.
Letërsia për të nuk ishte zgjedhje, por domosdoshmëri. Ai shkroi jo për t’u dëgjuar, por për të mos vdekur ende pa lindur. Ishte vetmia e shpirtit dhe ndjeshmëria e trashëguar nga e ëma që e bënë të zhyste penën në flakën e vetëdijes së përvëluar. I përndjekur nga mungesa e pajtimit me realitetin, ai krijoi një univers letrar që për pak do të ishte shuar, sikur miku i tij i ngushtë, Max Brod, të kishte ndjekur amanetin e Kafka-s për të djegur gjithçka.
Por historia e letrave ka borxhe ndaj pabesisë shpëtuese të Brodit, e cila i dha njerëzimit një nga veprat më të vyera të ndërgjegjes moderne.
Kafka e dinte që arti është sakrificë. Ai nuk e kërkoi miratimin e kritikës, as nuk u përkul para shpërfilljes. Ai shkroi, edhe kur nuk kishte frymëzim, sepse shkrimi ishte i vetmi mjet për të mbijetuar. Në ditarët e tij, ai u bë pacienti dhe kirurgu i vetvetes, një kritik i pamëshirshëm që operonte shpirtin e vet pa anestezi. Dhimbja, për të, ishte substanca që e detyronte të shkruante, jo për të gjetur një zgjidhje, por për të bërë pyetjen më të saktë.
Kafka ishte trup delikat, por shpirt i pakompromis. Ai refuzoi kënaqësinë, refuzoi sigurinë, refuzoi jetën që i ofronte i ati, për t’iu përkushtuar një jete tjetër: asaj që e përvëlonte përbrenda dhe që vetëm arti mund ta bënte të durueshme.
Letra e tij ndaj babait është një rrëfim i dhimshëm i një faji që ai e mori mbi vete pa e ndarë me askënd. Ajo është një testament i përplasjes mes individit dhe autoritetit, mes njeriut dhe figurës atërore, një përplasje që për Kafka-n nuk pati pajtim, por vetëm përballje.
Kafka ishte i huaji i përhershëm, në familje, në shoqëri, në letërsi, në ekzistencë. Por pikërisht përmes këtij përjashtimi, ai u bë universal. Ai e destiloi dobësinë dhe dhembjen në një alkimí që i dha artit përjetësi.
“Nuk kam asgjë, nuk përmbledh asgjë, përveç dobësisë universale njerëzore. Por ajo është për mua një forcë kolosale. E kam thithur me forcë negativitetin e kohës sime, saqë nuk kam të drejtë ta luftoj, ndoshta madje e kam detyrë ta përfaqësoj.”
Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë jo vetëm shkrimtarin, por edhe njeriun që flijoi gjithçka për të ndriçuar thellësitë e qenies. Kafka nuk është më një enigmë; është pasqyrë. Një pasqyrë në të cilën jemi të detyruar të shohim veten.
KOHA JONË SONDAZH

