Fratari me qendër të re shëndetësore, Manastirliu: Brenda vitit 100 të tjera
Hapet qendra e re shëndetësore Fratar në Bashkinë Mallakastër, e rehabilituar në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga deputeti i zonës Ismet Beqiraj dhe kryetari i bashkisë Qerim Ismailaj, u shpreh se kjo qendër do të ofrojë shërbime me standarde të larta për 8,000 banorët e Fratarit dhe zonat përreth, duke përmbushur një premtim të dhënë për komunitetin gjatë procesit të llogaridhënies.
”Kemi qenë këtu 1 vit më parë dhe kemi parë nga afër se në çfarë kushtesh ishte qendra shëndetësore dhe ju si komunitet e keni ngritur këtë shqetësim. Komuniteti i Fratarit me rreth 8000 banorë tashmë do të marrë shërbime të kujdesit shëndetësor në një qendër me standarde të larta. Jam e kënaqur që mjekët, infermierët në këtë qendër do të punojnë në kushte shumë të mira dhe do të ofrojnë shërbime dinjitoze për komunitetin”.
Duke bërë me dije se brenda vitit do të rehabilitohen edhe 100 qendra të tjera shëndetësore dhe 120 të tjera në vitin 2020, Manastirliu theksoi se Qendra shëndetësore Fratar ofron shërbim 24 orë duke ofruar një standard të njëjtë si në qytet ashtu edhë në fshat.
”Qendra shëndetësore Fratar është një qendër me shërbim 24 orë. Standardi që ne po aplikojmë është i njëjtë qoftë në qytet, qoftë në fshat. 80 qendra shëndetësore që kanë përfunduar, 100 qendra shëndetësore që janë duke u rehabilituar këtë vit dhe 120 qendra shëndetësore të tjera që planifikohen për vitin 2020 do të përmbushin premtimin tonë”.