Freedom House: Mediat në Shqipëri, nën trysni

Organizata “Freedom House” ka publikuar të mërkurën raportin e përvitshëm për lirinë e shtypit në botë, i cili mbulon 199 vende dhe territore. Në këtë raport Shqipëria renditet në vendin e 97-të, ndërsa Kosova në vendin e 100-të, krahasuar me pozitën numër 98, që ka mbajtur vitin e kaluar. Në Europë Shqipëria sa i përket lirisë së mediave, zë vendin e 37-të.

Shtetet shqiptare bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira së bashku me Maqedoninë që renditet në vendin e 125-të, Bosnja në vend të 108-të, dhe Serbia në vend të 82-të, si dhe Mali i Zi në të 79-in. Në këto vende vërehen mjaft trysni editoriale nga pronarët e mediave. Ka gjithashtu dhunë, fizike ose verbale, kundër gazetarëve dhe zërave të pavarur, gjë që çon në vetë-censurë. Sipas saj, pronësia mbi mediat në të gjitha këto vende është mjaft e errët dhe e panjohur për publikun, gjë që çon në konflikte të shumta me interesat e ndryshme politike dhe komerciale.

Në përgjithësi, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2014 në pikën më të ulët, në më shumë se dhjetë vjet. Në krye të listës së vendeve me liri shtypi radhiten Norvegjia, Suedia dhe Belgjika.

SHKARKO APP