Frika për bebet i rrezikon jetën grave shtatzëna nga Covid-19, ja situata në Shqipëri
Drejtoresha e maternitetit ”Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj tregon se më shumë se 100 gra shtatzëna u prekën nga virusi. ”Nënat të cilat janë në pritje të një fëmije kanë imunitet më të ulët sesa një nënë apo një grua që nuk është shtatzënë. Pra vet gjendja e shtatzënisë e ulë imunitetin, jo në të gjitha rastet por e ulë imunitetin. Prekja nga Covid-19 në të tilla raste me një tendencë për ulje të imunitetit siç mund të jenë sëmundjet kronike apo gjendje të një shtatzënie pak të komplikuar ose jo të komplikuar mund të bëjnë që situata të rëndohet nga prekja e Covid-19”,-u shpreh drejtoresha e maternitetit ”Mbretëresha Geraldinë”.
Frika e përdorimi të ilaçeve ka shkaktuar gjatë pandemisë përkeqësime të gjendjes së nënave. Për më tepër Demaliaj thotë se nuk duhet abuzuar, porosit që antibiotikët duhet të përdoren në raste të domosdoshme. Një tjetër problem që është vërejtur tek kjo pjesë e shoqërisë, është neglizhenca. Gratë shtatzënë me Covid-19, nëse kanë shqetësime paraqiten me vonesë tek mjeku.
”Shpeshherë situata ka qenë më e rëndë seç duhet për shkak të paraqitjes vonë te mjeku. Thelbësorja është që nënat shtatzënë duhet të referohen në momentin e parë të prekjes nga Covid-19 dhe të mjekohen dhe të ndiqen. E para të ruhen, e dyta të referohen”,-tregoi Demaliaj.
Në fund mjekja ka një apel për të gjithë gratë shtatzëna. ”Gratë shtatzëna duhet ta përjetojnë shtatzëninë e tyre pa ankth në këtë periudhë por duhet të jetë të kujdesshme. Koordinimi me një mjek profesionist që duhet të jetë obstetër gjinekolog bashkë me pneumolog apo infeksionit apo vetëm është shumë e rëndësishme”.