FRONTEX, Voda: Punë konkrete me agjencitë ligjzbatuese europiane
Marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian e cila hyri që prej 1 majit në fuqi, i hap rrugën një bashkëpunimi të ngushtë e konkret me agjencitë ligjzbatuese europiane. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, thotë se “Shqipëria është vendi i parë në rajon që finalizon këtë marrëveshje me FRONTEX”.
“Para disa ditësh pata kënaqësinë të takoja zv.drejtorin e Përgjithshëm të FRONTEX, Berndt Koerner, i cili shprehu falënderimet e tij për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për finalizimin, të parët në rajon, të Marrëveshjes Statusore BE-Shqipëri për bashkëpunimin me FRONTEX si dhe të marreveshjes operacionale me këtë agjenci”, tha Voda.
Marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë Europiane të Rojave Bregdetare dhe Kufirit, FRONTEX për menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit, është një vlerë e shtuar dhe fokusi i saj është lufta kundër migracionit të paligjshëm, si dhe rritja e numrit të operacioneve të kthimit, apo pranimit të migrantëve nga vendet e treta që vijnë në Shqipëri.
Bashkimi Europian po zhvillon negociata për marrëveshje të ngjashme dhe me vende të tjera të Ballkanit që janë jashtë BE-së, si Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.
KOHA JONË SONDAZH

