Frrok Çupi: Tetori i bashkon apo i përplas kokë më kokë udhëheqësit e Shqipërisë?

(Botuar me 16 Tetor 1994 në KOHA JONE)
Nga Frrok Çupi-
Kur vjen tetori, shqiptarët paskan për të festuar shumë ditë të shënuara. Mbas Revolucionit të Tetorit dhe ditës së Republikës Kineze, menjëherë vijnë festat e gjakut shqiptar: Vjen 8 tetori i vitit 1895 kur lindi Mbreti i vetëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu. Vjen 16 tetori 1908, ditëlindja e udhëheqësit të periudhës 50-vjeçare Enver Hoxha. Vjen 15 tetori 1944, ditëlindja e udhëheqësit tonë të dashur e të lavdishëm aktual Sali Berisha. Vjen 18 tetori 1925, dita kur ka lindur ish-Presidenti dhe udhëheqësi politik për një periudhë të gjatë kohe, Ramiz Alia…
Çfarë bën kështu tetori? Tetori, si një burrë i fuqishëm që ka nisur një vepër posaçërisht për Shqipërinë, mesa duket është ndalur në rrugë dhe është vendosur në një dilemë: “veprën time madhore, burrat e shtetit shqiptar, mbasi i linda, çfarë t’i bëj, t’i bashkoj apo t’i përplas kokë më kokë?” Burri i madh Tetor ende nuk e ka zgjidhur dilemën, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të grinden po për këtë çështje. Çfarë ka në dorë sot Tetori?
Sali Berisha më afër Enver Hoxhës
Dje, më 15 Tetor, mbarë populli ynë, në një atmosferë gëzimi dhe entuziazmi të papërshkruar, festoi me madhështi 50 vjetorin e lindjes së udhëheqësit tonë të dashur, Sali Berisha. Ndërsa sot më 16 tetor mbushen plot 86 vjet që nga dita kur lindi Enver Hoxha “udhëheqësi i madh e i lavdishëm i partisë dhe i popullit tonë”, sikurse u quajt ai për një periudhë të gjatë kohe dhe për të cilin populli ynë këndoi e qau me dënesë. Tetori mund ta ketë bërë me qëllim që ditëlindjet e dy burrave të mëdhenj të popullit shqiptar, E. Hoxha e S. Berisha i ka vendosur shumë pranë njëra tjetrës. Pse e ka bërë këtë gjë tetori? Ata që besojnë ende se S. Berisha është opozitar i vijës politike të E. Hoxhës, ndoshta mendojnë se Tetori e bëri këtë që t’i vendosë të dy luanët pranë e pranë (luan e quan RD edhe qytetarin Berisha) me qëllim që ndeshja mes tyre të jetë spektakolare. Mirëpo faktet e përditshme tregojnë se ky plan i Tetorit dështoi dhe ai vendosi t’i lerë ata vetëm pranë e pranë. Këtë gjë e tregoi edhe kryeartikulli i djeshëm i gazetës së zotit Berisha “RD”kur botonte urimin për 50 vjetorin e ditëlindjes së udhëheqësit aktual. Vetëm në biografitë e E. Hoxhës dhe S. Berishës mund të falsifikohet aq këndshëm e vërteta historike. Lexoni se çfarë është shkruar dje në gazetën “RD”. Fillimi i Lëvizjes Studentore në Dhjetor 1990 e gjeti Sali Berishën në krye të studentëve… Ndërsa e vërteta është ndryshe: Berisha ato ditë, sikurse kanë shkruar dëshmitarë ka “qenë në Dajt duke pirë kafe”, “ka qenë në zyrat e larta të PPSH për të marrë udhëzime që studentët të ndërpresin lëvizjen”. Më poshtë po kjo gazetë shkruan: “… ai themeloi Partinë Demokratike”. Edhe këtë guxuan dhe e shkruan? Kur u ligjëruan fjalët “Parti Demokratike”, Sali Berisha jo vetëm që nuk ndodhej në Qytetin e Studentëve, por ishte duke deklaruar se pluralizmi politik është ende i padobishëm për shqiptarët. Dhe po gazeta e ditëlindjes së udhëheqësit, pak më poshtë shkruan: “Themeloi Partinë Demokratike… dhe u zgjodh kryetar i saj”. A nuk e dinë njerëzit se kryetar i parë i PD ishte Azem Hajdari? A nuk e dinë njerëzit se S.Berisha është zgjedhur kryetar i PD në mes të shkurtit 1991, tre muaj pas krijimit të partisë? Siç duket Tetori po i ngjason sa më shpejt dy burra të mëdhenj: E. Hoxha e S. Berisha, me qëllim që të mos jenë më në grindje njerëzit.
Fatos Nano do të votojë për S. Berishën apo…
Meqë tetori është muaji i udhëheqësisë shqiptare, pikërisht për këtë arsye edhe Berisha e zgjodhi si muaj të Kushtetutës. Ai këto ditë nuk ka kohë të festojë as ditëlindjen e tij, as të shokut Enver, as të shokut Ramiz. Punë shumë e madhe për hir të kombit. Një nga synimet e Berishës është që të mbajë larg pushtetit “të gjithë djajtë që nuk kanë lindur në Tetor”. Një nga këta është Fatos Nano. Mirëpo tani sipas projektit të Kushtetutës, Fatos Nano nuk ka të drejtë të votohet e të zgjidhet. Neni 37 i projekt kushtetutës thotë se të arrestuarit dhe të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur. Kështu pra, Fatos Nano ka vetëm të drejtë që të zgjedhë Berishën. E drejta është e madhe dhe e ligjshme. Nuk i takon një njeriu i cili nuk ka lindur në Tetor që të hyjë në radhën e tetorasve. Por a do të votojë Nano për kushtetutën e Berishës? Kjo është një çështje madhore që nuk varet më nga mendimi dhe dëshira e z.Nano. Kjo varet nga fakti se si e ka përcaktuar Tetori fatin e udhëheqësisë së shqiptarëve.
Mbase Tetori kërkon dorëheqje nga udhëheqësia e shqiptarëve, apo Berisha bën gabime të rënda?
Në qoftë se tetori ka vendosur të heqë dorë nga mania e tij për të lindur të gjithë udhëheqësit e shqiptarëve, kjo me siguri mund të ndodhë për shkak se vetë Tetori mund të jetë dëshpëruar rëndë me pjellën e vet. Dhe në qoftë se do ta bëjë këtë, ai nuk ka për t’u kthyer kurrë më në idenë për të pjellë udhëheqës shqiptarë. Me siguri këtë pronësi Tetori do t’ia lerë ndonjë kolegu të tij. Dhe kështu, Tetori do të vendosë një kushtetutë të pareferendueshme e cila, krejt në stilin e Berishës, do t’i heqë Berishës të drejtën për t’u zgjedhur më Presidenti i vendit. Atëherë me siguri muajt e tjerë të vitit do të zgjedhin si udhëheqës kundërshtarin aktual z. Fatos Nano. Aq më shumë që masmedia dhe njerëzit veç e veç, po e përsërisin me qindra herë se President i ardhshëm i vendit do të jetë Fatos Nano. Po në qoftë se Fatos Nano do të dalë nga burgu si kandidat për President, vallë çfarë do të bëjë me Kushtetutën që do ta gjejë duke u zbatuar. Do ta lerë në fuqi, apo do ta shfuqizojë?

Këtu qëndron çështja: Berisha do të jetë fitimtari i fundit apo i humburi i parë i “tetorasve”?
Këtë çështje e ka shtruar sot problemi i referendumit të kushtetutës. Në qoftë se kushtetuta e Berishës do të fitojë në referendumin popullor, kjo do të thotë se e ka fituar Berisha vetë. Mirëpo kjo nuk do të jetë vetëm kaq. Fitorja e kushtetutës së Berishës kësaj radhe, ashtu sikurse edhe vetë z. Berisha që shtypi i tij po theksojnë, do të jetë një fitore e madhe për të ardhmen e vendit. Duhet të jesh shumë supersticioz që të thuash se kjo lidhet me lodhjen e Tetorit. Por një gjë është e vërtetë. Kjo kushtetutë, përfundimisht do t’ua mbushë mendjen shqiptarëve se duhet të jenë të vëmendshëm dhe të mos vonojnë herën e ardhshme për diktaturat dhe diktatorët. Kur të vijë puna që njerëzit t’ju vijë në majë të hundës me këtë kushtetutë që mund t’ia japin agrementin në fund të këtij Tetori, atëherë ata mund t’i kthehen të zgjedhin President ata njerëz që kushtetuta që sot është projekt, i ndalon për t’u zgjedhur. Ndërsa këta që sot po dërgojnë kushtetutën në popull dhe po menaxhojnë vendin, do të jenë të paktën të padëshiruar për të përsëritur më të njëjtën gjë. Kjo ndoshta do të varet nga ata që janë sot pa të drejtë për t’u zgjedhur, gjithnjë sipas nenit 37 të projekt kushtetutës.
Frrok Çupi

SHKARKO APP