Frroku e pranon: U regjistrova si Kosovar në Belgjikë. S’kam kërkuar mbrojtje nga Rama e Tahiri (fjala e plotë)

 

Mark Frroku mohoi të ketë kryer ndonjëherë vrasje në fjalën që mbajti në parlament para votimit të kërkesës së prokurorisë për arrestimin e tij. Ai the se për 16 vjet drejtësia belge nuk kishte mundur ta provonte fajësinë e tij dhe sqaroi se familja e tij i është betuar (i ka bërë be) familje Frroku në pafajësi dhe se takimi i vitit 2013 nuk ka qenë falje gjaku. Nga ana tjetër ai u përpoq të përjashtojë cdo përfshirje të Ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Kryeministrit Rama në problemin e tij, pas skandalit të dalë në publik për fshehjen e kërkesave të Interpolit belg nga Interpol Tirana për ndalimin e tij.

 

Fjalimi i plotë:

"Nuk ka asnjë vendim të formës së prerë në asnjë gjykatë në asnjë vend të botës. Jam gati të shpjegoj të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje. Do të zgjatem, por kini durim. Është e vërtetë që në vitin ‘98 kam emigruar drejt Belgjikës si të gjithë shqiptarët dhe atje kam kërkuar azil politik. E vetmja rrugë për të siguruar një dokument ishte të paraqiteshe si shqiptar i Kosovës. Pasi kam qëndruar për 4 – 5 muaj atje, mua më është refuzuar qëndrimi dhe jam kthyer në Shqipëri. Pas kësaj për herë të parë emrin e Aleksandër Kurtit e kam dëgjuar pas pak kësaj ngjarje që ndodhi. Unë dua t’i përcjell ngushëllimet më të thella familjes Kurti dhe do t’ju garatoj atyre që nuk kam asnjë lidhje me këtë cështje. Trupi i Kurtit u gjet më 5 mars 99. Unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjikë në këtë kohë dhe deri në 2004 unë nuk kam shkelur kurrë në atë vend. Këtë gjë ua kemi bërë të qartë autoriteteve belge. Në mars të vitit 2013 familja ime, në prani të 24 burrave dhe 2 klerikëve, i ka bërë be familjes Kurti. Shumë prej jush e kuptoni se cfarë do të thotë të bësh be dhe cfarë do të thotë falje gjaku. Kanë një ndryshim shumë të madh. Në këtë botë ka shumë njerëz të rrejshëm, por familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti.

 Do t’ju lutesha mediave që këtë informacion që ka sjellë Belgjika dhe që e ka futur prokuroria ta shpjegonin…

Unë nuk i jam shmangur asnjëherë përgjegjësisë ligjore. Për 16 vjet drejtësia belge nuk ka gjetur asnjë provë që të më fajësojë mua. Po ashtu avokatja ime e ka provuar para drejtësisë belge se unë nuk ndodhesha në Belgjikë në atë kohë. Fatkeqësisth politika të bën gjithcka, kriminel e tutor. Në vitin 2004 autoritetet belge më kanë thirrur si i dyshuar dhe unë për 2 muaj kam qenë i ndaluar dhe pas 2 muajsh jam liruar pa asnjë kusht. Në vitin 2010 jam dënuar në mungesë me 10 vjet dhe gjykata e lartë e riktheu cështjen. Pra po e theksoj, se edhe pas 16 vjetësh prokuroria e përgjithshme dhe drejtësia atje nuk ka mundur të gjejë qoftë edhe një provë sa më të vogël.

Unë jam kryetar i një partie politike. Jam i ri në këtë parti dhe në këtë politikë. Shumëkush ia dedikon suksesin kësaj partie familjes Frroku dhe pasurisë që familja Frroku ka mbledhur këto vite në emigracion e biznes. Nuk kanë qenë paratë suksesi. Suksesi nuk ka të bëjë me paranë. Dhe pikërisht sot ata njerëz që shpifin dhe bëjnë politikë me akuzat ndaj meje dhe hallet e mia nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vec të shpifin dhe përbaltin figurën time dhe familjen time. Unë u jam nënshtruar gjithmonë ligjeve të shtetit shqiptar edhe në vitin 2013 kur kam kandiduar. Mandatin ma ka dhënë sovrani në Shkodër. Është certifikuar nga KQZ, është verifikuar nga komisioni i vlefshmërisë së mandateve. Unë nuk kam hyrë nga dritarja në parlament. Dhe 1 milionë vota ishin përgjigjja më e mirë e pushtetit 8 -vjecar. Kush kërkon të kriminalizojë këto vota e ka shumë gabim. Kjo mazhorancë ka detyrë të mbrojë votat.

Duan të helmojnë edhe politikën duke kërkuar banditë në këtë parlament. Por unë nuk lejoj askënd që t’i shesë shqiptarëve dekriminalizimin si sapun për djatëh, duke përdour kufomën time politike dhe duke hedhur baltë mbi mua, zgjedhësit e familjen time.

Në këtë sallë janë bërë shumë amnisti, pazare te pista, por unë nuk jam këtu për të bërë gjyqin e askujt, por për të mbrojtur veten time, dinjitetin tim.

Unë kam reaguar në fakt kur u publikua lajmi në mediat belge. Fillimisht kanë qenë artikujt me të njëjtin tekst të botuar në portalet e një grupi mediatik. Ishte njjë trafik i pastër mediatik. Unë i konsideroj si shantazh të fëlliqur dhe i kam identifikuar autorët. Unë e kam sqaruar dhe kush ka patur vesh e ka kuptuar. Gjëja më e keqe është shkatërrimi i imazhit për personin, që përfaqëson popullin në këtë sallë. Unë nuk kam kërkuar mbrojtje as nga Ministri i Brendshëm Tahiri as nga Kryeministri Rama, por deputetëve të opozitës dua t’u them se as për cështjen e vëllait tim unë nuk kam qenë skllav as përpara Kryeministrit as përpara Kryetarit të Kuvendit. Unë jam skllav vetëm para zotit, para askujt tjetër. Unë nuk jam këtu t’ju kërkoj votën kundër kërkesës së prokurorisë. Mos e fusni fare në rendin e ditës. I takon drejtësisë. Dhe vetëm me drejtësinë unë do ta zgjidh cështjen time. Jam i gatshëm kush të ketë ndonjë pyetje… "

SHKARKO APP