Fshirja e adresave të shqiptarëve, Cakaj takim me përfaqësues të Luginës së Preshevës

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u takua me një prej përfaqësuesve politik të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi. Ata diskutuan domosdoshmërinë e ndërmarrjes së disa veprimeve për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjithashtu, gjatë takimit të zhvilluar, Cakaj dhe Kamberi shprehën shqetësimin e thellë për një numër procesesh gjyqësore ndaj shqiptarëve, për shkak të përdorimit të hapur të simboleve kombëtare. Për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës pati më herët edhe një reagim të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Ministritë e Jashtme të dy vendeve theksuan se kjo është një përpjekje për të krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por edhe duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës.

SHKARKO APP