FSHZH shpall tenderin, fondi 123.8 milionë lekë – Projekti për zhvillimin turistik të Fierit/ FOTO
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur një tender me fond 123.8 milionë lekë, për qytetin e Fierit.
“Qëllimi kryesor është ripërtëritja urbane e zonës së marrë në studim dhe qëndrueshmëria e zhvillimit mjedisor, ekonomik dhe kulturor” shkruhet në detajet e tenderit.
Sipas detajeve teknike, në objektivat e tenderit përfshihet unifikimi i fasadave në katet përdhe, për t’i dhënë përparësi biznesit, rikthimi i elementëve historik dhe kulturor, pasurimi me gjelbërim, lirimi i zonave publike, apo shtimi i korsive së biçikletave.
Objektet të cilët parashikohen të restaurohen janë 20 dhe shtrihen përgjat rrugës ” Andon Profka”.
“Rruga ‘Andon Profka’ është pjesë kryesore kompozicionale e zhvillimit radial të sistemit rrugor të unazës së qytetit të Fierit. Është vazhdimi i unazës se qytetit të Fierit” shpjegohet më tej.
Ky investim, sipas detajeve të tenderit, ka për qëllim ta kthejë qytetin e Fierit në më atraktiv për qytetarët si dhe për turizmin.
Për të gjithë aplikantët e interesuar, tenderi do të qëndrojë i hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik deri më 28 prill, ora 11:00./ SCAN