Fundjava e fundit e gushtit/ Fluks i madh në Morinë, mijëra qytetarë nga Kosova drejt bregdetit shqiptar
Fundjava e fundit e gushtit ka sjellë një fluks të shtuar udhëtarësh në pikën kufitare të Morinës. Që në orët e para të mëngjesit, mijëra qytetarë nga Kosova kanë marrë rrugën drejt Shqipërisë, shumë prej tyre për të kaluar ditët e fundit të pushimeve në bregdet, përpara nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator.
Sipas të dhënave nga autoritetet kufitare, lëvizjet më intensive janë shënuar gjatë intervalit 05:00–07:00, ndërsa në disa momente janë krijuar kolona automjetesh në anën e territorit të Kosovës.
Për të lehtësuar qarkullimin, automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë po kalojnë përmes një procedure të përshpejtuar, pa kontrollet e zakonshme kufitare. Kjo masë do të vijojë të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Shifrat e fundit dëshmojnë për një lëvizje të konsiderueshme në të dyja drejtimet. Gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri kanë hyrë 52 mijë e 864 shtetas dhe 13 mijë e 531 automjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 35 mijë e 72 shtetas dhe 11 mijë e 238 automjete.
Fluksi është veçanërisht i lartë edhe në bilancin e pesë ditëve të fundit. Nga 24 deri më 28 gusht, kanë hyrë në Shqipëri 152 mijë e 694 shtetas dhe 46 mijë e 870 automjete. Në të njëjtën periudhë, nga Shqipëria kanë dalë 121 mijë e 846 shtetas dhe 37 mijë e 148 automjete.
KOHA JONË SONDAZH

