Fundjava e parë e janarit, reshje bore në zonat verilindore dhe lindore
Reshjet e dëborës do të përfshijnë fundjavën e parë të janarit zonat verilindore dhe lindore të territorit. Instituti i Gjeoshkencës bën të ditur se pasditen e sotme dhe të shtunën, reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor. Sipas IGEO, pasditen e sotme dhe të shtunën priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Shkodrës.
Në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet Berat dhe Vlorë reshjet priten të jenë mesatare, ndërsa në Fier, Korçë dhe Gjirokastër reshjet priten të jenë të dobëta, deri lokalisht mesatare.
Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Në Verilindje dhe Lindje në lartësitë mbi 800 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Temperaturat minimale dhe maksimale, nesër, e shtunë 4 janar pritet të arrijnë në bregdet: 5 / 13 °C , në vendet e ulëta: 2 / 13 °C dhe në vendet malore: -3 / 7 °C. Era pasditen e sotme pritet të fryjë mesatare deri e fortë, ndërsa nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.