Fundjava me diell e temperatura të larta, por merrni dhe çadrat me vete
Meterologia Adjola Bani nga MeteoAlb tregon për Ora News se si do të jetë moti për këtë javë në Shqipëri dhe në rajon.
Reshjet e shiut do t’i lenë vendin ditëve të pranverës, por pritet rritje e temperaturave të ajrit, megjithëse ju këshillojmë t’i mbani çadrat me vete.
Adjola Bani: “Ky mars ka nisur me diell, më pas kemi pasur një shkëpute 2-3 ditore në mesin e kësaj jave që ka risjellë ditët e dimrit, por sërish kjo fundjavë duke filluar nga sot e në vazhdim, dita e shtunë e dielë do të na sjellin sërish pranverën, pasi do të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit.
Maksimumi i temperaturave do të arrijë në 17-18 gradë celcius.
Për sa i përket kushteve atmosferike sot duhet t’i gëzohemi ditës me diell, pasi dita e shtunë do të na sjellë prezencë të vranësirave dhe të reshjeve kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht ato qendrore, ndërsa pjesa jugore vazhdon të mbetet me kthjellime dhe vranësira ditën e shtunë.
Dita e dielë pas mesditës do të na sjellë sërish vranësira dhe rrebeshe shiu në territorin shqiptar.
Fillimi i javës që vjen do të paraqitet sërish i paqëndrueshëm me reshje shiu kryesisht dhe me reshje dëbore në zonat malore, shoqëruar me ulje të temperaturave gjatë javës që vjen.
Përsa i përket rajonit, thuajse të gjitha vendet paraqiten në të njëjtat kushte atmosferike.
Fillimi i javës që vjen do të sjellë rënie të ndjeshme në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ku priten ulje të temperaturave dhe reshje të dëborës.“