Fundjava me temperatura deri në 24 gradë celsius
Fundjava në vend pritet të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm dhe temperatura relativisht të larta për këtë periudhë.
Sinoptikania Elida Maloçali bën të ditur se gjatë fundjavës do të mbizotërojnë kushte të mira atmosferike, me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura që mund të arrijnë deri në 24 gradë Celsius.
Sipas saj, era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 7 metra për sekondë, ndërsa në det valëzimi pritet të jetë 1 deri në 2 ballë, duke krijuar kushte relativisht të qeta për zonat bregdetare.
Megjithatë, duke filluar nga mesdita e së dielës dhe gjatë ditës së hënë, parashikohet rikthimi i reshjeve të shiut, të cilat në disa zona mund të shoqërohen edhe me shtrëngata afatshkurtra, kryesisht përgjatë vijës bregdetare.
Ndërkohë, për ditën e martë meteorologët parashikojnë sërish kthim të kushteve të qëndrueshme atmosferike. Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndryshime të ndjeshme, duke arritur maksimalisht deri në 22 gradë Celsius.
KOHA JONË SONDAZH

