Fushata mbaroi, policia rifillon arrestimet për energjinë elektrike
Kishte disa muaj që në njoftimet e policisë dhe ato të OSHEE-së nuk përmendeshin më arrestimet për abuzuesit me energjinë elektrike. Por fushata e partive politike nuk do të zgjaste përgjithmonë dhe sapo shqiptarët hodhën votën, autoritetet nisën një fushatë tjetër, atë të arrestimeve.
Task Force e OSHEE-së bën të ditur se janë shoqëruar në polici 20 abonentë.
Katër janë proceduar ligjërisht dhe rasti më i fundit i përket një subjekti privat në Fier i cili me ndihmën e elektricistit të zonës, vidhte energjinë.
Policia e Fierit ka vënë në pranga punonjësin e OSHEE si dhe biznesmenin, pronar të subjektit privat.
Si pasojë e aksionit të Task Force, në Burrel janë shoqëruar 2 abonentë për lidhje të paligjshme të energjisë, ndërsa njëri është shoqëruar në Kukës.
Në Elbasan, abonentja E.Z kishte dëmtuar matësin dhe po procedohet nga Policia.
Sakaq, Drejtoria rajonale Tiranë gjatë kontrolleve të ushtruara dje, ka konstatuar në total 15 raste, nga të cilat 7 rilidhje të paligjshme për kategorinë familjare dhe 3 për kategorinë privat. Gjithashtu janë konstatuar 5 raste të vjedhjes së energjisë.

