Fushata zgjedhore, SPAK bën bilancin e kallëzimeve nga subjektet politike

Kjo fushatë zgjedhore pati ngjarje shumë të rënda. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se në periudhën mars – prill 2021 janë paraqitur një numër i konsiderueshëm kallëzimesh nga subjekte politike, shtetas të ndryshëm dhe policia gjyqësore, në lidhje me veprat penale që kanë të bëjnë me “Korrupsionin aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionin pasiv në zgjedhje”. Sipas SPAK, deri tani janë paraqitur 55 kallëzime nga të cilat 32 janë regjistruar si procedime penale, për të cilat vijon hetimi. Prokuroria e Posaçme njofton se ka vlerësuar të gjithë këto raste me seriozitet dhe ka dhënë zgjidhje ligjore rast pas rasti, duke njoftuar njëkohësisht dhe subjektet që i kanë paraqitur.

Rastet e referuara në SPAK

Janë paraqitur 91 materiale. Të specifikuara sipas subjekteve që i kanë paraqitur :

• Subjekte politike 55 raste, kallëzime (PD – 50; LSI – 3; PS – 1; FRD – 1)

• Policia gjyqësore 10 raste, referime.

• Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore 4 raste, procedime penale.

• Shtetas 4 raste, kallëzime.

• Institucioni i Presidentit të Republikës 18 raste, informacione.

Për rastet e paraqitura është dhënë zgjidhja deri me datë 22.04.2021 si më poshtë :

• Janë regjistruar 32 procedime penale për të cilat vazhdon hetimi.

• Është vendosur në 7 raste mosfillimi i procedimit penal.

• Janë dërguar për verifikime paraprake në Policinë e Shtetit 15 raste.

• Janë dërguar për kompetencë prokurorive të rretheve gjyqësore 23 raste.

• Janë në proces verifikimi nga prokurorët e posaçëm 14 raste.

SHKARKO APP