Fyerja e historianit turk për Skënderbeun, reagojnë komunitetet fetare
Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat, dënon deklaratat e historianit turk Talha Ugurluel ndaj figurës së Skënderbeut.
“Akt i rëndë e shumë i shëmtuar, që një i ashtuquajtur “historian” turk, Talha Ugurluel, guxon të shpifë ndaj figurës sonë kombëtare, tepër të ndritur, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, thuhet në deklaratë.
Katër komunitetet fetare shprehin indinjatën e tyre për individët që tentojnë të denigrojnë figurat kombëtare shqiptare e aq më tepër të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, i cili, siç theksohet në deklaratë, është emblema, piedestali dhe krenaria e unitetit tonë kombëtar dhe fetar.
Komunitetet fetare theksojnë se populli shqiptar është shquar për bashkëpunim dhe tolerancë fetare, cilësi që janë trashëguar edhe sot.
“Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, jo vetëm që është heroi ynë kombëtar, por njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht si nga historianët botërore, ashtu edhe nga historianët e mirëfilltë turq. Deklarata të tilla, të bëra nga kushdo qoftë, edhe nga të ashtuquajturit historianë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxisin reminishenca mesjetare për të armiqësuar popujt me njëri-tjetrin, pikërisht në këto kohë të vështira”, thekson QBNFE.
Komunitetet fetare, theksojnë se nuk mund të lejojnë denigrimin e historisë dhe kulturës së popullit shqiptar, ndaj i dënojnë haptazi e me forcë këto akte, ndërsa i kërkojnë institucioneve shtetërore të jenë më të kujdesshme në parandalimin e akteve të tilla dhe të mos lejojnë më askënd që të denigrojë figurat dhe simbolet tona kombëtare.
Pak ditë më parë në YouTube qarkulloi një video ku shfaqej Talha Ugurlei, i cili gjatë një vizite në memorialin e Skënderbeut në Lezhë, denigronte heroin kombëtar. Për këtë çështje, një ditë më parë reagoi edhe studiuesi Moikom Zeqo, i cili për mikrofonin e Televizionit Klan tha se ndaj këtij personi duhet të merren masa ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

