Gaz Bardhi del hapur kundër Berishës për Primaret në PD dhe rolin e SPAK

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gazment Bardhi shprehu shqetësimin se për primaret që pritet të mbajë për herë të parë forca e tij politike, duke thënë se mund të jetë shumë vonë për ta realizuar siç duhet këtë proces. Ai shprehu vlerësimin që partia është tani e bashkuar dhe u bëri thirrje forcave të tjera politike që të bashkojnë votat për të fituar ndaj Partisë Socialiste në pushtet. Duke folur për SPAK-un dhe kritikat e kryetarit të partisë Sali Berisha ndaj tij, ai tha se nuk e ndan mendimin e tij se bëhet fjalë për “organizatë kriminale”, por tha se pret më shumë nga struktura kundër korrupsionit.
Ja se çfarë tha Bardhi për VOA: “Së pari, unë mendoj që çdo anëtar i Partisë Demokratike, ka vlerësuar dhe vlerëson së tepërmi faktin që Partia Demokratike sot është e bashkuar dhe padyshim që është e bashkuar, por edhe falë atij që ju e quajtët grupimi që unë drejtoja apo që drejtojë në emër të grupit parlamentar, që u bashkua më së fundmi, grupimi që drejtonte zoti Berisha. Tashmë ne jemi gjithë Partia Demokratike dhe anëtarët e Partisë Demokratike. Në vlerësimin tim dhe sa unë shoh në kontaktet e përditshme me ata, vlerësojmë kontributin e secilit prej deputetëve për atë që ata kanë dhënë në mbrojtje të interesit publik. Pra, në këtë drejtim nuk kam një shqetësim. Shqetësimi im lind për faktin se së pari jemi shumë vonë për këtë proces. Pra, jemi shumë afër zgjedhjeve dhe do të duhet të presim, nuk ka akoma rregulla të miratuara dhe do të duhet të presim rregullat dhe atë e kam thënë disa herë publikisht por edhe brenda institucioneve të partisë, që rregullat duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë destabilitet në parti, të mos krijojnë përplasje në parti se kjo nuk do të ishte e shëndetshme tre muaj para zgjedhjeve. Pra, shqetësimi im lidhet vetëm me këtë pjesë sepse në fund fare, secili prej nesh anëtarëve të Partisë Demokratike nuk ka interes kush janë emrat e deputetëve. Interesi jonë është që PD të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është interesi madhor i çdo anëtari të PD-së”- përfundon shefi i grupit parlamentar të PD.
Me tej i pyetur për rolin e SPAK që ka marrë të pandehur liderin e PD, Berisha, ai theksoi se “Unë kam patur dhe e kam shprehur edhe publikisht qëndrimin tim sa i takon SPAK-ut. Unë e nxis dhe e kam nxitur gjithmonë SPAK-un të bëjë detyrën. Sigurisht që kam pritur dhe pres shumë më shumë për shkak të aferave të jashtëzakonshme korruptive që ndodhin apo që kanë ndodhur gjatë këtyre 12 viteve, pres shumë më shumë rezultate. Unë pres të ketë hetime serioze ndaj Kryetari të Bashkisë së Tiranës i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë edhepse vetë SPAK-u ka thënë në një deklaratë publike që është i dyshuar mbështetur në prova për konsumimin e katër veprave penale. Unë pres të kemi hetime serioze ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pra pres që SPAK-u të performojë në mënyrë të pavarur dhe tërësisht profesionale në përputhje me ligjin”.
I pyetur se “nuk e quani SPAK-un organizatë kriminale si zoti Berisha?”, Bardhi shtoi se “Jo, jo nuk e kam quajtur kurrë sepse kam thënë që pavarësisht problemeve që ka Struktura e Posaçme Antikorrupsion brenda saj ka prokuror me integritet të cilët do të duhet të mbështetën që të bëjnë detyrën e tyre ashtu siç duhet. Në momentin që flasim, e vetmja thirrje që kam është që të veprojnë shpejt. Shqiptarët presin ndëshkime reale kundër korrupsionit”.
Kjo deklaratë e Gaz Bardhit që rrëzon vendimin e Berishës për të futur në Primare kandidatët për deputetë jep mesazhin se nuk janë dakort me këto votime brenda PD, çka lideri demokrat e ka thënë se mbetet e panegociueshme. Të kundërshtosh Sali Berishës tani që edhe gurin, edhe arrën për listat në PD, duket diçka jo e këndshme për grupin e Bardhit, të cilët nuk pëlqehen në bazën e demokratëve salistë.
Edhe qëndrimi i tij ndaj SPAK në kundërshtim të plotë me Berishën tregon se diçka ka filluar të thyhet prapë në PD, ndonëse këtë herë pa shkopinjë e dajak.
Duhet theksuar se pa grupin e deputetëve të Gazment Bardhit nuk e merrte vulën dhe emrin e PD-së, lideri Berisha. Ndaj Berisha ka detyrimin ta degjojë këtë grupim që mirëpritet në SHBA, kur vetë Berisha mbetet “nongrata” në Uashington.
Saktësojmë që nëse Gaz Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj nuk do të kalonin hapur me Berishën, atëhere sot vulën dhe emrin e PD-së do ta kishte në xhep Lulzim Basha
Përgatiti: Daniel Muçaku