Gazeta italiane: Marjeta, gruaja e vdekur me tre fëmijë në krah
Gazeta italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një shkrim tragjedisë që goditi familjen Lala prej tërmetit të datës 26 nëntor.
Marjeta kishte tre fëmijë në krahë, kur zjarrfikësit italianë e gjetën nën rrënoja. Flinte me ta në shtrat dhe më kot e mbuloi me trupin e saj Emilion e vogël 6 vjeç si dhe dy të tjerët binjakë 2 vjeç, Dionisa dhe Enis.
Amelia, vajza dhjetëvjeçare, e cila u gjet në orën dy të mëngjesit të ditës së djeshme në grumbullin e rrënojave që vetëm pak orë më parë ishte një ndërtesë familjare pesëkatëshe e ndërtuar pa rregulla, si të gjitha shtëpitë e lagjes, pas rënies së komunizmit, në një ish-kënetë në Durrës, aty ku jetonin bretkosat deri në vitet 1990.
Të gjithë pjesëtarët e familjes Lala vdiqën, përveç Ramë Lala, i cili u nxorr nga rrënojat pas 14 orë gërmimesh.
Historia e familjes Lala ka shokuar gjithë Shqipërinë, është bërë mishërim i një tragjedie kombëtare që deri tani numëron 50 viktima.
Nëna Sadete, 79 vjeçe vdiq pranë djalit të saj Ilir, 52 vjeç. Ata u gjetën menjëherë sapo nisën kërkimet për të mbijetuar.
I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes 9 anëtarëshe, Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë dhe pasditen e së enjtes ai është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar.
Jetën e Ramë Lalës, e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaft hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin e tij.
Të vdekurit nga familja Lala
Ilir Lala (Ishte i paralizuar prej vitesh)
Marjeta Lala (Nëna e katër fëmijëve)
Emilio Lala 6 vjeç (Djali i Marjeta Lalës)
Enis dhe Dionisa lala (Binjakët e Marjeta Lalës)
Amelia Lala 9 vjeç (Vajza e Marjeta Lalës)
Griselda Lala 22 vjeç (Motra e Ramë Lalës)
Sadete lala 78 vjeç (gjyshja)