Gazetari meksikan përgënjeshtron shkrimin për vëllezërit shqiptarë Hysa

Manuel Espino, një gazetar meksikan që shkroi një vit më parë artikullin për disa vëllezër shqiptarë që merreshin me pastrim të parave të karteleve meksikane të drogës, është detyruar dje të përgënjeshtrojë veten. Pra, ka pranuar se ka mashtruar në shkrimin e tij!

Ky përgënjeshtrim vjen pasi autoritetet e Ministrisë së Brendshme në Meksikë, që rregullojnë lojërat dhe lotaritë kombëtare, dhe Prokuroria e Përgjithshme (FGR) kanë treguar me vendime zyrtare se nuk ka pjesëmarrje të vëllezërve shqiptarë në pastrim parash dhe krim të organizuar. Newsbomb.al raportoi 20 ditë më parë se vëllezërit Luftar, Arben, Ramiz dhe Fatos Hysa, kishin fituar betejën me mediat vendase pas një fushate të gjerë shpifëse që erdhi edhe në Shqipëri.

Hetimet kanë provuar se një grup biznesmenësh rivalë të vëllezërve shqiptarë që kanë korrur sukses në operimin e kazinove në Meksikë, kanë paguar mediat në vendin e tyre që të shkruanin artikuj denigrues për “katër shqiptarët”. Vëllezërit Hysa janë zhvendosur prej vitesh në Meksikë dhe kanë ngritur atje një biznes të rregullt të kazinove, gjë që është provuar dhe nga autoritetet vendase, si Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme e Meksikës.

Familja Hysa sqaroi se kompania “Entretenimiento Palermo, SA de CV”, aksionerë të së cilës janë Luftar dhe Arben Hysa, operon në kushte identike me ato të agjencisë së lojërave të fatit dhe se asnjë prej tyre nuk është dëshmuar se ka lëvizje të paligjshme parash apo se janë të lidhura me kartelet kriminale në funksionimin e tyre.

“Akuzat penale që i janë bërë familjes sonë janë jo vetëm të rreme, por edhe qesharake. Nëse familja ime do të kishte miliona dollarë për të cilat u fol, ne nuk do të na duhej të ngriheshim çdo ditë për të punuar larg njerëzve tanë të dashur, duke menduar për hapjen e bizneseve të reja, si restorantet tona, në të cilat ekziston gjithmonë rreziku i moskthimit të kapitalit të investuar”, ka thënë Arben Hysa në një letër sqaruese që i dërgoi EL UNIVERSAL.

Lidhur me akuzat ndaj tij për pastrim parash për kartelet Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación, Hysa akuzoi se “ka shumë gjasa që ky diskreditim të jetë krijuar nga njerëz që ndërhyjnë në funksionimin e bizneseve tona, me të cilët kemi disa dallime. Ne jemi një familje që punojmë shumë, duke gjeneruar konkurrencë, gjë që jo të gjithëve i pëlqen; Megjithatë, autoritetet nuk janë naive, ato e dinë shumë mirë se ne jemi njerëz të përgjegjshëm dhe se nuk jemi të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Në shtator 2022, gazetari meksikan shkroi se vëllezërit Luftar, Arbeni, Ramiz dhe Fatos, kishin një aleancë me Ismael Zambada García, udhëheqës i Kartelit Sinaloa dhe me Nemesio Oseguera Cervantes, udhëheqës i Kartelit të Gjeneratës së Re Jalisco (CJNG) me qëllim pastrimin e miliona dollarëve nëpërmjet bizneseve të tyre në sektorët e turizmit dhe argëtimit.

Por këto akuza të rreme u rrëzuan nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Meksikë (FGR) dhe Njësia e Inteligjencës në Ministrinë e Financave dhe Kredive Publike (SHCP), të cilat kanë njoftuar se NUK kanë kryer asnjë hetim ndaj katër vëllezërve biznesmenë nga Shqipëria, pasi veprimtaria e tyre është provuar se NUK ka pasur lidhje me krimin e organizuar apo pastrimin e parave. Në këto kushte, gazetari meksikan Manuel Espino është detyruar të përgënjeshtrojë shkrimin e vetë, dhe në gazetën ku e publikoi atë, duke pranuar se artikulli ka qenë i pavërtetë, shkruan newsbomb.al.

SHKARKO APP