Gazetari në riedukim, Safe Journalists: Kryeministri zgjodhi arrogancën ndaj transparencës

Përfaqësuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri Blerjana Bino shpjegoi se është hera e dytë që kryeministri Edi Rama vepron në këtë formë me gazetarët gjatë konferencave për shtyp, që i çon për ”riedukim” kur nuk i pëlqen pyetja. Ngjarja e fundit është ajo me gazetarin Klevin Muka, i cili pyetjen e drejtoi tek ministrja Olta Xhaçka.

“Kryeministri ia mohoi gazetarit të drejtën për të marrë një përgjigje adekuate për një pyetje me interes publik. Pyetja e Kelvinit, nëse do t’i jepej përgjigje, do t’i kishte lënë ministres Xhaçka dhe kryeministrit një dritare për të hedhur dritë mbi çështjen e konfliktit të interesit dhe do t’i jepte publikut më shumë transparencë për çështjen në fjalë. Në vend të kësaj edhe një herë tjetër, kryeministri zgjodhi arrogancën ndaj transparencës dhe mbylljen e derës për gazetarët, veçanërisht ata të mirë”, tha Blerjana Bino për këtë rast.

Po ashtu Bino shprehu shqetësim edhe për mungesën e solidaritetit të gazetarëve gjatë konferencës. ”Komuniteti i medias dhe organizatat e pavarura dhe OSHC-të po mblidhen krah Klevin në një përpjekje për të mbështetur gazetarinë kritike dhe cilësore të pavarur. Na duhet patjetër më shumë solidaritet mes gazetarëve në Shqipëri dhe aleanca më të gjera për lirinë e medias”.

SHKARKO APP